Në 24 orët e fundit raportohen nëntë raste të dhunës në familje

Policia e Kosovës

Monitoruar nga Senad Telaku

10:30 / 16 Gusht 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Policia e Kosovës bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar nëntë raste të dhunës në familje, raporton Drejtësia Sot.

Sipas këtij raporti, tri raste të dhunës në familje janë raportuar në rajonin e Mitrovicës së Jugut, dy raste në Prishtinë, dhe nga një rast është raportuar në Gjilan, Prizren dhe Gjakovë.

Sa i përket njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë – Jug, rasti i parë është raportuar në ora 01:13, ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ai ka sulmuar fizikisht vëllain e tij viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë është raportuar në ora 23:55, ku ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se është sulmuar fizikisht nga dy djemtë e tij kosovar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i tretë është raportuar në ora 12:15, ku viktima femër kosovare ka njoftuar se  ishte keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor ndërsa rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt

Kurse, Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka pranuar informatën se me datën 15.08.2022, në ora 08:15, ankuesja femër kosovare ka njoftuar se ishte keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë është raportuar në ora 22:00, ku viktima femër kosovare ka pësuar lëndime, pasi i dyshuari mashkull kosovar -bashkëshorti i saj, për motive xhelozie dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.

Nga Drejtoria Rajonale në Gjilan është raportuar një rast i dhunës në familje ku me datën 15.08.2022, në ora 15:00, ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje është sulmuar fizikisht nga vjehrra e saj e dyshuara femër kosovare. Ankuesja posedon raport mjekësor për lëndime trupore.

Në lidhje me rastin janë intervistuar edhe tri dëshmitare, ndërsa është arrestuar e dyshuara në lidhje me rastin dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar e dyshuara është liruar.

Nga Drejtoria Rajonale në Prizren poashtu është raportuar një rast i dhunës në familje ku me datën 15.08.2022, në ora 15:30, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka shkaktuar dhunë në familjen e tij. Viktima femër kosovare ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit është raportuar në Drejtorinë Rajonale në Gjakovë, ku me datën 15.08.2022, në ora 09:35, janë arrestuar një femër dhe një mashkull kosovar pasi ata janë rrahur mes veti. Të dyshuarit kanë pranuar tretman mjekësor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.