Gjykata e Mitrovicës vazhdon veprimtarinë e saj pavarësisht gjendjes së tensionuar në pjesën veriore

Gjykata Themelore , Mitrovicë

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:50 / 01 Gusht 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Gjendja e tensionuar në veri të Mitrovicës nuk ka ndikuar që Gjykata Themelore e Mitrovicës dhe dy degët e saj në Leposaviq dhe Zubin Potok të ndalin veprimtaritë e tyre gjyqësore.

Një gjë të tillë për “Drejtësia Sot” e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj gjykate Nusret Hoxha, i cili shtoi se puna në këto institucione po vazhdon në mënyrë normale.

Kujtojmë që vendimet e Qeverisë së Kosovës për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, kanë ngjallur reagim nga serbët që jetojnë në komunat veriore të Kosovës.

Kësisoj gjatë ditës së djeshme nga ana e Policisë së Kosovës është raportuar se serbët e këtyre zonave kanë bllokuar rrugët si dhe kanë sulmuar policinë dhe disa qytetarë shqiptarë që kanë qarkulluar në ato pjesë të veriut të Mitrovicës.

Por, situatë më e qetë është raportuar gjatë ditës së sotme, pasi që ekzekutivi vendosi që vendimet për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të shtyhet nga data 1 gusht për në datën 1 shtator 2022.

GLPS/Drejtësia Sot kërkon nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës që me vëmendje të përcjell gjendjen aktuale në Mitrovicën e Veriut ashtu që të sigurohet mbarëvajtja normale e veprimtarive gjyqësore në Gjykatën Themelore të Mitrovicës dhe në dy degët e saj në Leposaviq dhe Zubin Potok.