Arrestohen gjashtë të dyshuar për dhunë në familje, vetëm dy prej tyre dërgohen në mbajtje

Policia e Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:01 / 31 Gusht 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Policia e Kosovës njofton se në 24 orët e fundit janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar se kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje”, raporton Drejtësia Sot.

Nga të dhënat e Policisë bëhet e ditur se nga gjashtë të arrestuarit vetëm dy prej tyre janë dërguar në mbajtje, ndërsa të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt.

Kësisoj, nga katër raste të raportuara në Polici, ky institucion njofton se rasti i parë ka ndodhur në Gllogoc, ku viktima mashkull kosovar ka raportuar se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

Thuhet se viktimës i është ofruar tretman mjekësor ndërsa në konsultim me prokurorin, dy të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Kurse në Lipjan, është arrestuar e më pas është dërguar në mbajtje i dyshuari mashkull shtetas gjerman, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare.

Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore dhe e njëjta më pas është dërguar në strehimore.

Sa i përket rastit të tretë të raportuar, Policia njofton se në Gjakovë i dyshuari mashkull kosovar së bashku me të dyshuarën femër kosovare kanë sulmuar fizikisht viktimën femër shtetase hungareze.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje, ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.

Në fund, rasti i katër i dhunës në familje në familje është raportuar në Mitrovicë, ku i dyshuari mashkull kosovar ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Policia bën të ditur se në të gjitha këto raste të raportuara janë duke vazhduar hetimet.