Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit M.M., për shkak të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, raporton Drejtësia Sot.
Prokuroria njofton se më 17 korrik 2022, në Gjakovë, pikërisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri M.M., me dashje i shkakton lëndime trupore të dëmtuarës, M.B., bashkëshortes së tij, e cila është viktimë e ndjeshme, grua shtatzënë.
Sipas Prokurorisë, deri tek shkaktimi i lëndimeve ka ardhur pas një mosmarrëveshje paraprake rreth djalit të tyre 1 vjeçar.
Kësisoj, Prokuroria pretendon se i pandehuri në ditën kritike ishte revoltuar dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me grushte në kokë e pjesë të ndryshme të trupit, me ç ‘rast të dëmtuarës i shkakton ndrydhje të indeve të buta të regjionit të kokës dhe të krahut, lëndime këto të përshkruara nga eksperti mjeko-ligjor.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri M.M, të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Lajmet në fokus