Aktakuzë kundër dy personave për dhunimin e një femre në Prizren

Prokurori i Shtetit

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:47 / 22 Gusht 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve E.S., dhe T.J., për veprën penale “Dhunimi”.

Drejtësia Sot raporton se të akuzuarit nga data 23.06.2022 gjenden në paraburgim për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të lartcekur.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore prej 16-17 qershor 2022, në fshatin Nashec – Komuna e Prizrenit, të akuzuarit E.S., dhe T.J., së bashku detyrojnë viktimën M.E., për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit me përdorim të forcës dhe shkaktimin e dehjes së të dëmtuarës,  me automjet e shoqërojnë në një restaurant dhe pastaj në shtëpizën e të akuzuarit T.J., në fshatin Nashec.

Aty pretendohet se të akuzuarit e detyrojnë që të konsumojë pije alkoolike dhe substanca narkotike, duke e sjellë të dëmtuarën në situatë pa vetëdije, me ç’rast i akuzuari T.J., e godet me një mjet të fortë në kokë, ashtu që e dëmtuara M.E., e humb vetëdijen dhe të njëjtit kryejnë marrëdhënie seksuale me viktimën.

Me këto veprime, të akuzuarit kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dhunimi” nga neni 227 paragrafi 4, nën paragrafi 4.2, 4.5 dhe 4.6 lidhur me nenin 31, Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtor.