Partia politike “Lista Serbe” e cila përfaqëson komunitetin serb në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe udhëheq me disa komuna në nivel vendi, pretendohet se e ka kërcënuar me jetë dëshmitarin e mbrojtur “B1”.
“Drejtësia Sot” raporton se kjo ishte arsyeja që dëshmitari i mbrojtur “B1” refuzoi të dëshmojë në gjykimin ndaj gjashtë personave që akuzohen për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.
Në seancën gjyqësore të mbajtur sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dëshmitari i mbrojtur “B1” ka thënë se nuk guxon të dëshmojë pasi i është kërcënuar jeta e tij dhe e familjes së tij nga Lista Serbe.
Dëshmitari i mbrojtur “B1” ka thënë se këto kërcënime janë të reale dhe se do të pranonte që të dëshmojë në Prokurori, nëse një ftesë e tillë i vie nga gjykata.
Pas kësaj, prokurori Çerkini ka thënë se i kanë marr të gjitha veprimet që dëshmitari të jetë i sigurt, por sipas tij po shihet që në teren po ndodh e kundërta dhe ka shtuar se Prokuroria do të ndërmarr veprimet për të vërtetuar se cilat janë ato kërcënime dhe kanosje serioze që e kanë shty dëshmitarin “B1” që mos të dëshmojë.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj ka thënë se për këtë dëshmitar do të caktohet një seancë në prani të trupit gjykues dhe prokurorit special, ku do të vërtetohen faktet dhe rrethanat për të cilat ai po pretendon se është kërcënuar.
Po ashtu, gjykatësi Kurtaj tha se për dëshmitarin e sotme “B1” dhe dëshmitarin “D”, gjykata në rast se vërteton se nuk ka rrethana siç pretendojnë por vetëm dëshirojnë t’i shmangen deklarimit, atëherë do të ketë pasoja ligjore për ata që nuk dëshirojnë të dëshmojnë.
Seancat e radhës në këtë çështje penale janë planifikuar të mbahet me 16 dhe 27 shtator 2022, ora 9:30.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, të ndryshuar më datë 10.11.2020, Nedeljko Spasojveiq, Rade Basara, Silvana Arsoviq dhe Marko Roshiq akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Vrasje e rëndë”,
Për veprën penale “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” po akuzohet Dragisha Markovic, i cili po ashtu akuzohet se në bashkëkryerje me të pandehurin tjetër Zharko Jovanoviq ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ndërsa ndaj Zharko Jovanoviqit dhe Nedeljko Spasojeviqit rëndon edhe vepra penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Në përshkrimin faktik të aktakuzës thuhet se të akuzuarit në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim te shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.
Aktakuza pretendon se secili nga te pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç‘rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardhur deri te vrasja e tij.
Për këtë rast, gjinden në arrati M.R., Z.V. dhe Zh.B, për të cilët prokuroria ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar dhe të cilët dyshohet të kenë qenë udhëheqësit e këtij grupi kriminal.
Drejtësia Sot ka monitoruar në vazhdimësi këtë rast: https://www.rolpik.org/vrasja-e-oliver-ivanoviqit-deshmitari-i-mbrojtur-refuzon-te-deshmoje-vetem-nje-ore-para-fillimit-te-seances-gjyqesore/
Lajmet në fokus