Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim për suspendimin nga puna të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, raporton Drejtësia Sot.
Një vendim i tillë është marrë gjatë takimit urgjent të KPK-së që është mbajtur sot me kërkesë të U.D. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Sipas komunikatës për media, në këtë mbledhje KPK gjithashtu ka themeluar panelin hetimor për zhvillimin e procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala.
Kujtojmë që suspendimi dhe fillimi i procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala ka ardhur si shkak i informacioneve të publikuara nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura se ai ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë.
Pas suspendimit të Kryeprokurori Buzhala, Këshilli Prokurorial ka marr vendim për caktimin e prokurorit, Enis Gashi, ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës.
Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesional për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.
GLPS/Drejtësia Sot po raporton në vazhdimësi lidhur me këtë çështje, link
Lajmet në fokus