Gjykata e Apelit e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se nga sot kanë filluar punën në këtë gjykatë, dy nga tre gjyqtarët e avancuar nga niveli i gjykatave themelore.
GLPS/Drejtësia Sot njofton se bëhet fjalë për gjyqtarin Skënder Çoçaj, ish-kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe gjyqtaren Naime Ahmeti.
Sipas njoftimit nga Apeli, Skënder Çoçaj do të jetë gjyqtar në Departamentin e Përgjithshëm-Divizioni Penal, ndërsa Naime Ahmeti do të jetë gjyqtare në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin Civil.
Ndërkaq, gjyqtarja Kadrije Goga – Lubishtani, që është avancuar nga në Gjykata Themelore në Ferizaj në Gjykatën e Apelit, do të nisë punën me datën 1 gusht 2022, për shkak se i duhet të përfundoj tri lëndë që i ka në proces.
Kujtojmë që KGJK, në takimin e mbajtur më datë 23 qershor 2022, ka bërë votimin e këtyre tre gjyqtarëve për avancim në Apel, pas prezantimit të listës së kandidatëve të propozuar nga Komisioni Intervistues.
Përveç tyre, në garë për ngritje në detyrë në gjykatën e shkallës së dytë ishin edhe kandidatët-gjyqtarët Pranvera Ademi, Agron Hoxhaj, Ali Kutllovci, Shaban Shala, Skënder Shala, Valbona Musliu, Violeta Namani, Murat Hulaj, Naser Foniqi, Ramush Bardiqi dhe Violeta Husaj.
Votimit për avancimin e ish-kryesuesit Çoçaj, nga gjyqtar i Gjykatës Themelore në Prizren në gjykatën e Apelit, i kishte paraprirë një diskutim i nisur nga anëtari i KGJK-së, gjyqtari Avni Mehmeti, rreth pretendimeve se një avancim i tillë mund të ketë elemente të konfliktit të interesit dhe është në kundërshtim me rregullativen ligjore.
GLPS/Drejtësia Sot ka raportuar lidhur me vendimin për avancimin e tre gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit, link: https://www.rolpik.org/ish-kryesuesi-i-kgjk-se-avancohet-ne-poziten-e-gjyqtarit-te-gjykates-se-apelit/
Lajmet në fokus