Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim për degradimin në detyrë, përkatësisht transferim të përhershëm të gjyqtares Florije Zatriqi, në Departamentin e Përgjithshëm-Divizionin e Kundërvajtjes në kuadër të Gjykatës Themelore në Pejë, raporton Drejtësia Sot.
Një vendim i tillë është marrë pas përfundimit të procedurës disiplinore ndaj gjyqtares Zatriqi, ku është konstatuar se ajo në kundërshtim me ligjin kishte nxjerrë aktgjykimin dënues ndaj të pandehurit P.K, i akuzuar për dhunimin e një vajze 15 vjeçare, në vitin 2012.
Sipas aktgjykimit, PKR.nr.141/2015, të datës 23 korrik 2021, P.K, që akuzohej për veprën penale “Dhunim”, e kishte pranuar fajësinë, më ç’rast gjyqtarja e kishte shpallur fajtor, duke e gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj e tetë (8) ditësh.
Në vendimin disiplinor, KGJK ka vërtetuar se gjyqtarja Zatriqi, në marrjen e këtij aktgjykimi, ka shkelur procedurat duke cenuar parimet e gjykimit të drejtë, pasiqë ka vendosur si gjyqtare e vetme, llogaritja e dënimit është bërë gabimisht, duke llogaritur dënimin në ditë dhe rrjedhimisht janë tejkaluar kufijtë e zbutjes së lejuar sipas ligjit, me ç’rast është dëmtuar ligjshmëria, objektiviteti dhe besueshmëria e procesit gjyqësor.
Bëhet e ditur se gjatë zhvillimit të procedurës disiplinore, gjyqtarja Zatriqi e kishte pranuar fajësinë, kishte shprehur keqardhje dhe ishte penduar thellë se këtë aktgjykim e kishte marrë në kundërshtim me e Kodin e Procedurës Penale të Kosovës dhe Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale nga P.K.
Nga faktet e mbledhura ishte konstatuar se gjyqtarja kishte kryer shkeljet disiplinore “Nuk i trajton siç kërkohet me ligj palët në procedurë, përfaqësuesit e tyre, dëshmitarët dhe pjesëmarrësit tjerë në procedurë” dhe “Përfshihet në sjellje qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”.
Më këtë rast, mes gjyqtares dhe Panelit hetimor ishte arritur marrëveshja vullnetare për shkeljet disiplinore dhe për sanksionin disiplinor “Zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një periudhë deri në 1 vit.
Por, KGJK e kishte refuzuar këtë marrëveshje dhe kishte administruar dhe vlerësuar këto prova: Aktgjykimin PKR.Nr.141/15, të datës 23.07.2021, Procesverbalin e rigjykimit të shqyrtimit gjyqësor, datë 12.07.2021, numri i dokumentit 01984376, PKR.nr.141/15.
Nga ky administrim, Këshilli vërtetoi se gjyqtarja Zatriqi ka vepruar në kundërshtim me ligjin në momentin e nxjerrjes së aktgjykimit ndaj të dënuarit P.K, ku pas publikimit të tij në media, është dëmtuar rëndë reputacioni i figurës së gjyqtarit dhe imazhi i sistemit gjyqësor.
“Veprimet e gjyqtares Zatriqi, i kanë cenuar parimet bazë të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe përgjegjësisë që ka gjyqësori, për të promovuar vlerat e trajtimit të barabartë të qytetarëve para ligjit dhe para gjykatës si dhe vlerat që publiku të besoj në drejtësi të paanshme, e cila i reziston çfarëdo ndërhyrje.”- thuhet në vendimin e KGJK-së.
Sa i përket masës disiplinore për transferim të përhershëm në Divizionin për Kundërvajtje, KGJK vlerëson se e njëjta është në proporcion me shkeljet disiplinore të konsumuara nga gjyqtarja Zatriqi, dhe kjo do të ndikojë që gjyqtarja t’i korrektojë veprimet e saj, gjatë ushtrimit të funksionit në këtë detyrë.
Kujtojmë që me këtë vendim disiplinor, Këshilli ka revokuar edhe masën e suspendimit nga puna të gjyqtares Zatriqi, i cili ishte në fuqi nga data 8 nëntor 2021.
GLPS/Drejtësia Sot vlerëson se KGJK me të drejtë nuk kishte aprovuar marrëveshjen mbi pranimin e shkeljes disiplinore dhe sanksionit disiplinor të arritur mes gjyqtares Zatriqi dhe Panelit hetimor, duke ndryshuar kështu masën disiplinore nga “Zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në 50% për një periudhë deri në 1 vit” me masën disiplinore të transferimit të përhershëm në Departamentin për Kundërvajtje.
Pavarësisht kësaj, gjyqësori vazhdon të kritikohet nga ana e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile sa i përket sanksioneve të ulta që u shqiptohen gjyqtarëve, për të cilët vërtetohet se kanë kryer shkelje disiplinore.
GLPS/Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë çështje, link
Lajmet në fokus