Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi ka marrë vendim që të shqiptojë nga 200 Euro gjobë për avokatët Muhamet Humolli dhe Isa Salihi, raporton Drejtësia Sot.
Një vendim i tillë është marrë sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ishte paraparë mbajtja e seancës gjyqësore në rastin e njohur si “Ukë Rugova 2”.
Gjyqtari Krasniqi theksoi se gjoba ndaj dy avokatëve është shqiptuar për arsye të zvarritjes së procedurës dhe lidhur me këtë do ta njoftohet edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.
Mungesa e paarsyetuar e avokatëve Humolli dhe Salihi bëri që seanca e sotme të anulohet ndërsa ajo e radhës është planifikuar të mbahet më 12 korrik 2022.
Vlen të theksohet se në seancën e sotme thirrjes për të dëshmuar i ishin përgjigjur dëshmitarët L. M., R. F., dhe A. S., ndërsa nuk kanë prezantuar në gjykatë dëshmitarët A.G., dhe N.B.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin “Ukë Rugova 2” akuzohen Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se 15 të akuzuarit kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, duke pajisur kundërligjshëm një numër të madh të qytetarëve me viza shengen.
Sipas aktakuzës, Ukë Rugova nga maji 2011 deri në shkurt 2014 ishte drejtues këtij grupi kriminal dhe gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës.
Lajmet në fokus