Paraburgim ndaj tetë personave të dyshuar për krim të organizuar

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

12:45 / 04 Korrik 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kanë realizuar me sukses operacionin në të cilin janë arrestuar tetë persona.

GLPS/Drejtësia Sot bën të ditur se personat e dyshuar fillimisht me urdhër të prokurorit kanë qenë në mbajtje, pastaj sipas vendimit të Gjykatës u është vazhduar masa e paraburgimit për tridhjetë (30) ditë.

Të arrestuarit dyshohen se si grup kriminal janë përfshirë në disa vepra penale si: “Pjesëmarrja ose Organizimi i Grupit Kriminal të Organizuar” që lidhen me veprat “Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm”, “Zjarrvënie” , “Detyrim” etj.

Tetë personat e arrestuar janë me inicialet A.P., K. K., F.C., A.M., G.I., D.R., E.C. dhe L.B., të gjithë meshkuj – shtetas të Republikës së Kosovës, të lindur mes viteve 1993 dhe 2004.

Sipas policisë, rastet e hetuara dhe në të cilat dyshohet se janë përfshirë personat e dyshuar tani më të arrestuar janë, rasti i datës 19.06.2022, ku rreth orës 02:20 ka ndodhur një zjarrvënie në një lokal në “Dardani” të Prishtinës, ku dyshohej se zjarri ishte shkaktuar nga hedhja e një shisheje me benzinë (koktej molotovi), e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.

Po ashtu me datë 22.06.2022, diku rreth orës 03:30, në të njëjtin lokacion afër këtij lokali në Prishtinë ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale në tri veturat të cilat ishin të parkuara.

Ndërsa me datën 06.06.2022, diku në ora 03:03, në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë ishte hedhur një granatë dore e cila nuk ishte aktivizuar (shpërthyer). Granata në fjalë nga vendi i ngjarjes ishte tërhequr nga njësia përkatëse e Policisë së Kosovës.

Më datë 28.06.2022, diku rreth orës 03:30, në rrugën e Mullirit në Mitrovicë, ishte hedhur një granatë dore e cila kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.

Referuar rasteve të ndodhura janë ndërmarrë veprime konkrete nga sektori i hetimeve në kuadër të DHKO-së, me qasje hetimore pro aktive me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ku është arritur të identifikohet grupi i organizuar kriminal të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e akteve kriminale të lartcekura.

Me veprime operacionale të ndërmarra në vazhdimësi nga 20 qershor deri më 3 korrik 2022,  është arritur që të arrestohen tetë (8) personat e dyshuar për të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në kryerjen e veprave penale të lartcekura.

Në cilësi të prova materiale janë sekuestruar tetë telefona mobilë, një veturë, 6.7 gramë substancë narkotike (marihuanë), si dhe prova të tjera materiale të cilat shërbejnë në procedurë të mëtejme.

Vlen të theksohet, se njeri nga personat e arrestuar ishte në kërkim me fletë arrest nga gjykata kompetente.