Gjatë ditës së djeshme, mediat kanë publikuar disa lajme ku dyshohet se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, ka shpërndarë pyetjet e testit për bashkëpunëtorë profesionalë, raporton Drejtësia Sot.
Lidhur me dyshimet për shpërndarjen e pyetjeve nga Kryeprokurori Buzhala ka reaguar Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).
Në komunikatën për media të ZKPSH-së thuhet se: “Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, pas pranimit të informacionit nga mediat lidhur me dyshimet e ngritura për shpërndarje të pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesionalë nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala, në bazë të kompetencave që ka do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi.”
Kurse KPK ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me dyshimet e ngritura në media për shpërndarjen e pyetjeve të testit për bashkëpunëtorë profesional nga Kryeprokurori Buzhala.
KPK-ja siguron opinionin publik se pas kërkesës së U.D. Kryeprokurorit të Shtetit si autoritet kompetent dhe në bazë të autorizimeve që ka do t’i fillojë procedurat ligjore ndaj Kryeprokurorit të Gjakovës.
Po ashtu, Këshilli ka bërë të ditur se konkursi për bashkëpunëtorë profesionalë do të anulohet në tërësi ndërsa do të ndërmerren veprime ligjore edhe ndaj anëtarëve të komisionit përgjegjës të këtij procesi.
Kujtojmë që Kryeprokurori i Shtetit ka kompetencën e inicimit të procedurës disiplinore ndaj të gjithë Kryeprokurorëve të Prokurorive në çdo rast kur dyshohet se ata, me veprimet apo mosveprimet e tyre, janë përfshirë në shkelje disiplinore.
Ligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve parasheh që Kryeprokurori i Shtetit i paraqet KPK-së kërkesën me shkrim për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj Kryeprokurorëve të Prokurorive.
Kërkesa duhet të përmbaj identitetin e prokurorit që do të hetohet, një përshkrim të saktë të aspekteve faktike dhe juridike mbi të cilat është ngritur dyshimi për shkelje disiplinore, si dhe një propozim për masën disiplinore për tu shqiptuar nga Këshilli.
Brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve të punës nga marrja e kërkesës për fillimin e hetimeve disiplinore, Këshilli themelon një panel hetimor për kryerjen e hetimeve.
Nëse kërkesa është prima facie pa vlerë apo pa rëndësi serioze, jo substanciale, nuk ka lidhje me shkeljen disiplinore apo është parashkruar shkelja disiplinore e pretenduar, ajo hudhet poshtë.
Pas zhvillimit të hetimeve disiplinore nëse konstatohet që prokurori është përgjegjës për shkeljen disiplinore të pretenduar, ligji ka paraparë pesë lloje të masave disiplinore.
Kështu, prokurorëve përgjegjës për shkelje disiplinore KPK mund t’u shqiptojë një ose më shumë nga masat disiplinore: vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët dhe propozimi për shkarkim.
GLPS/Drejtësia Sot do të raportojë në vazhdimësi lidhur me këtë çështje.
Lajmet në fokus