Këshilli Gjyqësor deklarohet kundër procesit të Vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

11:51 / 29 Korrik 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka bërë publik qëndrimin e vet sa i përket Opinionit të Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Në qëndrimin e KGJK-së thuhet se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias janë vërtetë të rëndësishme dhe ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të gjyqësorit në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.

Kësisoj, KGJK thekson se nuk mbështet dhe nuk do të merr pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë gjyqësorit për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të Këshillit të cilët duhet të jenë përhershëm.

Sipas këtij institucioni, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndermirën masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një gjyqësor më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit.

Gjithashtu KGJK  në qëndrimin e saj e vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të “Vettingut” në sistemin gjyqësor.

Por, KGJK mbetet e përkushtuar dhe bashkëpunuese për çdo iniciativë ligjore në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshme të verifikimit, performancës, integritetit dhe disiplinës.

Sa i përket ndryshim/plotësimeve të ligjeve, në qëndrimin e këtij institucioni thuhet se KGJK duhet të ketë rol udhëheqës që nga faza e konceptimit, zhvillimit deri në atë të finalizimit të këtyre nismave ligjore.

Qëndrimin e plotë të KGJK-së rreth Opinionit të Venecias për Koncept Dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për “Vetting” në sistemin gjyqësor dhe prokurorial e gjeni në linkun: https://www.gjyqesori-rks.org/2022/07/29/qendrimi-i-keshillit-gjyqesor-te-kosoves-pas-opinionit-te-komisionit-te-venecias-per-ceshtjen-e-vetingut/