Gjyqtarët Agron Hoxhaj dhe Bajram Miftari janë avancuar në pozitën e gjyqtarit në kuadër të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, raporton Drejtësia Sot.
Ky vendim është marrë gjatë takimit që mbajti sot Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), kurse mandati i gjyqtarëve të avancuar do ta fillojnë nga data 1 gusht 2022.
Në bazë të të dhënave zyrtare, gjyqtari Agron Hoxhaj nga data 1 janar 2013 është emëruar në pozitën e gjyqtarit në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Prizren.
Po ashtu, nga janari i vitit 2013, gjyqtari Bajram Miftari është emëruar si gjyqtar në kuadër të Departamentit për Çështje Ekonomike në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Nga Komisioni për Intervistimin dhe Rekomandimin e kandidatëve është bërë të ditur se në konkurs ishte paraparë plotësimi i tri pozitave kurse kishin aplikuar pesë gjyqtarë.
Ky Komision i ka rekomanduar KGJK-së votimin për avancim vetëm për gjyqtarët Agron Hoxhaj dhe Bajram Miftari, të cilët ishin më të suksesshmit në fazën e intervistimit dhe kishin vlerësim më të lartë të performancës.
Kurse tre kandidatët e tjerë pavarësisht që ishin në garë për avancim në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, të njëjtit nuk janë rekomanduar për shkak se kishin vlerësimin e performancës “Mirë”, i cili është pengesë për avancim.
Për tu avancuar në pozitën e gjyqtarit në Dhomën e Posaçme duhet të përmbushin të gjitha kushtet e përcaktuara në Ligjin për Gjykatat për gjyqtarët e Gjykatës Supreme.
Për të ushtruar këtë funksion kandidati duhet të ketë së paku tetë (8) vite përvojë pune si gjyqtar dhe vlerësim të performancës në nivelin “Shkëlqyeshëm” ose “Shumë mirë”.
Me fokus të veçantë, gjyqtarët që shërbejnë në Dhomën e Posaçme duhet të kenë përvojë të dëshmuar në të drejtat pronësore, të drejtat e njeriut, me theks të veçantë në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e drejta e punës dhe e falimentimit, e drejta tregtare, përfshirë këtu qeverisjen e korporatave dhe e drejta e detyrimeve.
GLPS/Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi për takimet e KGJK-së, link: https://www.rolpik.org/presidentes-i-propozohet-shkarkimi-i-gjyqtarit-rafet-ismaili/
Lajmet në fokus