Dështon të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku ish-ministri dhe shtatë zyrtarë të tjerë akuzohen për korrupsion

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga

10:38 / 01 Korrik 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nenad Rikallo, ish-ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), nuk ka prezantuar në seancën e shqyrtimit gjyqësor që ishte planifikuar të mbahej në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, raporton Drejtësia Sot.

Në rastin e njohur në publik si “Grantet”, ish-ministri Rikallo, së bashku me shtatë të pandehur të tjerë, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Me hapjen e seancës nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Mentor Bajraktari, mbrojtësi i të akuzuarit Rikallo, avokati Miodrag Berkljac, e ka njoftuar gjykatën se i akuzuari Rikallo për shkaqe familjare nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Prandaj, për shkak se nuk u plotësuan kushtet ligjore, seanca e sotme dështoi të mbahet ndërsa ato të radhës janë planifikuar të mbahen me 18 korrik 2022, në ora 9:30, dhe më datën 28 korrik 2022, nga ora 13:15.

Po ashtu në këtë seancë nuk ka qenë i pranishëm as mbrojtësi i të akuzuarit Kapllan Halimi, avokati Artan Qerkini, i cili e kishte njoftuar gjykatën se gjendet në një seancë tjetër dhe se me palën janë pajtuar që seanca të vazhdoj pa praninë e tij.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të MBPZHR, së bashku me shtatë zyrtarët Kapllan Halimin, Shefki Zeqirin,  Ekrem Gjoken, Shklezen Morinen, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza thotë se këta të pandehur, në bashkëveprim, buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milion euro.

Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast, link:  https://www.rolpik.org/mungon-i-akuzuari-dhe-dy-mbrojtes-deshton-te-mbahet-seanca-e-sotme-ne-rastin-grantet/

Monitoruar nga Valentina Shahini dhe Urata Gashi