Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e njohur si “Gylenistët”.
Në këtë çështje penale Driton Gashi, Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylejmani akuzohen lidhur me dëbimin e kundërligjshëm të gjashtë shtetasve turq nga Kosova në Turqi, gjatë vitit 2018.
“Drejtësia Sot” raporton se shkak për dështimin e seancës së sotme ishte mungesa e të akuzuarit Driton Gashi, ish-shef i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
Sipas mbrojtësit të tij, avokatit Florent Latifaj, i akuzuari Gashi nuk ka mund të paraqitet sot në gjykatë për shkak të një çështje familjare.
Prandaj, duke qenë se nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e seancës së sotme, gjykimi ndaj Gashit, Krasniqit dhe Sylejmanit pritet të vazhdojë më datë 19 e 21 shtator 2022, nga ora 09:30.
Ndryshe sipas aktakuzës e cila përfaqësohet nga prokurorja Habibe Salihu, pika I thekson se, Driton Gashi, person zyrtar, përkatësisht Drejtor i Përgjithshëm i Agiensionit Kosovar të Inteligjencës (AKI), prej datës 23.03.2018, e gjer më dt.29.03.2018, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëboj me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe dorëzoj autoriteteve turke, keqpërdori detyrën zyrtare.
Ndërsa, të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj (DMH) në MPB, i rekomandoj nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.
I njëjti për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI.
Sipas PSRK-së, Driton Gashi, ka tejkaluar poashtu kompetencat duke përfshi AKI-në, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.
Pika II e aktakuzës ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi, se në periudhën kohore prej dt. 23.03.2018 dhe gjer më dt. 29.03.2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave – shtetasve turq të lartëcekur dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo procedurë me vendim të formës së prerë.
Po ashtu, i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.
Ndërsa në pikën III të akuzës, akuzohet Rrahman Sylejmani, i cili si person zyrtar, Drejtori Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj (DMH), pranë MPB, me dt. 29.03.2018, ka tejkaluar kompetencat zyrtare në atë mënyrë që ka nxjerrur gjashtë urdhra për dëbim me forcë të shtetasve turq, të lartcekur, në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, që nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM, ndësa urdhrat për dëbim me forcë i nxorri edhe pse nuk ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 par. 8 i të njëjtit ligj. I njëjti po ashtu ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtoj të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij. E me këto veprime akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.
Më tutje Rrahman Sylejmani, akuzohet se si person zyrtar, gjatë muajit mars të vitit 2018 në shkollat “Mehmet Akif“, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e lartcekur pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale.
Kurse me veprimet e fundit të njëjtit i vihet në barrë vepra penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.
“Drejtësia Sot” ka raportuar edhe më herët për këtë rast: https://www.rolpik.org/degjohen-dy-deshmitare-ne-rastin-e-njohur-si-gylenistet/
Lajmet në fokus