Në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore të Ferizajt, sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar kundër Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të cilët po akuzohen për vrasjen dhe dhunimin e Marigona Osmanit.
“Drejtësia Sot” raporton se pasi të pandehurit janë njoftuar me të drejtat e tyre në procedurë, prokurori Valdet Avdiu ka lexuar aktakuzën kurse të akuzuarit janë deklaruar se kanë kuptuar aktin akuzues dhe nuk kanë nevojë për sqarime shtesë.
I akuzuari Dardan Krivaça nuk ka dashur të deklarohet lidhur me fajësinë në këtë fazë të procedurës, ndërsa Arbër Sejdiu ka deklaruar se nuk e ndjen veten fajtor për veprat penale që i ngarkohen në këtë aktakuzë.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sahit Krasniqi, ka vlerësuar se i akuzuari Krivaça nuk e ka pranuar fajësinë në këtë fazë të procedurës për veprat penale për të cilat po ngarkohet.
Meqenëse të pandehurit nuk e kanë pranuar fajësinë, gjyqtari Krasniqi shqyrtimin fillestar e ka ndërprerë dhe ka lajmëruar palët se në afat 30 ditorë kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Kujtojmë që më 28 Qershor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, të cilët gjenden në paraburgim nga muaji gusht 2021, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaça, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”.
Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit, me çka kreu veprën penale ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.
GLPS/Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast, link
Lajmet në fokus