Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar vendimin mbi përbërjen e panelit hetimor i cili do të trajtojë pretendimet për shkelje disiplinore nga Kryeprokurori i suspenduar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ramiz Buzhala.
Sipas këtij vendimi që mban datën 14 korrik 2022, anëtarë të rregullt që do të shërbejnë në panelin hetimor janë Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi dhe dy prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bogdan Spadijer dhe Bashkim Zeqaj.
Kurse në cilësinë e anëtarit rezervë të këtij paneli është caktuar prokurori Petrit Kryeziu nga Prokuroria Themelore në Prizren dhe prokurori Zejnullah Gashi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sipas legjislacionit në fuqi, detyrë e Panelit hetimor është të sigurojë fakte dhe të mbledh prova lidhur me pretendimin për kryerjen e shkeljes disiplinore nga Kryeprokurori i suspenduar, Ramiz Buzhala.
Paneli hetimor duhet t’i përfundoj hetimet brenda tre (3) muajve nga dita kur ai është themeluar nga Këshilli, por në rrethana të jashtëzakonshme, Këshilli mund t’i zgjasë hetimet për një periudhë shtesë deri në dy (2) muaj.
Kujtojmë që themelimi i këtij paneli hetimor vie pasi që në takimin urgjent të KPK-së i mbajtur më 14 korrik 2022, është aprovuar kërkesa për fillim të procedurës disiplinore ndaj Kryeprokurorit Buzhala, si dhe është vendosur që ai të suspendohet nga kjo detyrë deri në një vendim të radhës.
Suspendimi i Kryeprokurorit Buzhala erdhi pas publikimit të disa lajmeve më datë 13 korrik 2022, ku pretendohej se ai ka shpërndarë pyetjet nga testi me shkrim për bashkëpunëtorë profesionalë.
Shpërndarja e pyetjeve pretendohet se ishte bërë në ditën kur planifikohej të mbahej testimi i kandidatëve që kishin aplikuar për pozitën e bashkëpunëtorit profesional në Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë.
Veprimet e Kryeprokurorit të suspenduar janë cilësuar si shkelje disiplinore “Përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e Prokurorit të Shtetit ose që mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e Prokurorit të Shtetit”.
GLPS/Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast, link
Lajmet në fokus