Gjatë një aksioni policor sot janë arrestuar dy persona nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
“Drejtësia Sot” raporton se të arrestuarit janë personat me inicialet S.M. dhe H.I.
Referuar komunikatës së Policisë së Kosovës, deri te arrestimi i të dyshuarve kishte ardhur nga informatat e siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, respektivisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, më datë 04.07.2022.
Sipas Policisë, nga informata e siguruara dyshohet se një person i dyshuar ka ndryshuar dokumentin origjinal, letërnjoftimin e shtetit të Serbisë, duke vendosur fotografinë e vetë në letërnjoftim të personit tjetër gjithashtu nga Serbia, duke e shfrytëzuar dhe pretenduar shitjen e disa pronave në zonën kadastrale në komunën e Suharekës.
Mbi bazën e këtyre informatave janë kryer një mori veprimesh operative/hetimore në bashkëpunim dhe bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, Oden e Noterëve të Kosovës dhe Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Suharekë.
Më këtë rast sot është realizuar arrestimi i dy personave të dyshuar me iniciale: S.M. femër (viti i lindjes 1971) dhe H.I. mashkull ( viti i lindje 1979), nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe me dashje kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Veprimet inkriminuese të të dyshuarve konsistojnë ashtu që, i dyshuari në fjalë pasi ka falsifikuar letërnjoftimin e pronarit legjitim të pronave në këtë zonë, më pas ka autorizuar të dyshuarën me iniciale (S.M), që e njëjta të vazhdoj me shitjen e pronave së bashku me personin (H.I.) i cili ka shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe të Serbisë.
Sipërfaqja e pronave që kanë pretenduar t’i shesin është afërsisht dhjetë (10) hektar, dhe kap vlerën rreth një milion Euro.
Policia njofton se kjo shitblerje është ndaluar duke i arrestuar të dyshuarit e lartcekur në flagrancë, falë angazhimeve dhe punës se përbashkët të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren me Institucionet e lartcekura.
Dy personat e dyshuar (S.M.) dhe (H.I.) janë intervistuar në prezencë të mbrojtësve të caktuar sipas detyrës zyrtare dhe përkthyesit, dhe pas intervistimit të njëjtëve me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
“Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë në drejtim të arrestimit të personit të tretë të dyshuar dhe eventualisht personave tjerë të përfshirë në këtë rast”- thuhet në fund të komunikatës së Policisë.
Lajmet në fokus