Gjykata Supreme e Kosovës, më 30 maj 2022, ka marrë aktgjykim më të cilin ka vërtetuar masën disiplinore ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Musli Gashi, raporton Drejtësia Sot.
Sipas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), prokurori Gashi ishte gjetur përgjegjës për shkeljen disiplinore “nuk merr parasysh provat dhe faktet fajësuese dhe shfajësuese gjatë hetimit të krimit dhe nuk siguron që hetimi është zhvilluar në respektim të plotë të të drejtave të të pandehurit”, e përcaktuar në nenin 6, par. 2, nën par. 2.2, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Më këtë rast, Këshilli ndaj të njëjtit kishte shqiptuar masën disiplinore “Vërejtje publike me shkrim”.
Ndaj vendimit të KPK-së, brenda afatit kishte ushtruar ankesë prokurori Gashi, ku kishte kërkuar nga Supremja që të ndryshohet vendimi i Këshillit dhe i njëjti të lirohet nga përgjegjësia disiplinore.
Sipas Supremes, kjo ankesë është vlerësuar si e pabazuar dhe se vendimi i KPK-së është marrë konform dispozitave dhe fakteve që janë administruar gjatë fazës së procedurës disiplinore, duke vendosur edhe sanksionin disiplinor në proporcion me shkeljen e vërtetuar disiplinore.
Çështja disiplinore ndaj prokurorit Gashi, kishte filluar me kërkesë nga Autoriteti Kompetent, kurse Paneli hetimor kishte konstatuar se i njëjti kishte kryer shkelje disiplinore gjatë shqyrtimit dhe vendosjes në një lëndë penale, ashtu që kishte fshehur disa fakte që kishin ndikim në cilësimin juridik të veprës penale, siç ishin: viktima e ndjeshme dhe se në shkaktimin e lëndimeve te viktima ishte përdorur mjet i fortë.
Më këtë rast, KPK kishte ardhur në përfundim se prokurori Gashi kishte bërë lëshime serioze me rastin e ngritjes së aktakuzës në rastin konkret, duke mos e përfshirë në dispozitiv viktimën e ndjeshme (të miturin), dhe mjetin e fortë jo të prehtë, më të cilin ishte goditur viktima e ndjeshme.
Arsyetimet e prokurorit Gashi se një gjë e tillë ka ndodhur pa ndonjë qëllim të caktuar dhe jo si fshehje e fakteve, nuk është marrë parasysh nga KPK-ja, e cila tnë vendim thekson se prokurori është i obliguar që saktësisht dhe tërësisht t’i konstatoj faktet në aktakuzë, të cilat janë vendimtare për marrjen e një vendimi të ligjshëm dhe të drejtë.
Në vendimin e Këshillit bëhet e ditur se përkundër kërkesës nga Kryeprokurori i Prizrenit për t’i evituar gabimet në aktakuzë, prokurori Gashi nuk ishte bindur dhe një përmirësim të tillë e kishte bërë vetëm pasi Gjykata e kishte kthyer për ndryshim dhe plotësim aktakuzën në Prokurori.
Prandaj nga këto të gjetura të Panelit hetimor, sipas Supremes, KPK ka vepruar drejt me rastin e caktimit të masës disiplinore “Vërejtje publike me shkrim” ndaj prokurorit Musli Gashi, pasi e njëjta është në proporcion me seriozitetin dhe pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilat është kryer shkelja disiplinore, performancën dhe sjelljen e përgjithshme të gjyqtarit apo prokurorit dhe sjelljen dhe nivelin e bashkëpunimit të gjyqtarit apo prokurorit gjatë procedurës disiplinore.
Lajmet në fokus