Shqyrtohet ankesa e zyrtarit që pretendonte se u ofendua nga kryetarja e gjykatës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

08:38 / 28 Qershor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

B.N., certifikues në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ka dorëzuar ankesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) me pretendimin se u ofendua nga kryetarja e kësaj gjykate, Ljiljana Stevanovic, raporton Drejtësia Sot.

KGJK, këtë ankesë, së bashku me pretendimet e B.N., më datë 24 maj 2022, ia kishte dërguar Kryetarit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, si Autoritet Kompetent që vendos lidhur me ankesat ndaj kryetarëve të gjykatave.

Pas shqyrtimit të saj, Autoriteti Kompetent, me vendimin GJS-2022-008, datë 23 qershor 2022, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën disiplinore të parashtruar nga B.N., punëtor i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, kundër Ljiljana Stevanovic, kryetare e kësaj gjykate.

Sipas arsyetimit, me datë 24.05.2022, përmes emalit zyrtar B.N., ka dërguar në adresë elektronike një kërkesë të cilën ia ka drejtuar Kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj dhe Drejtorit të SKGJK-së, Shkëlzen Maliqi, në të cilën në përmbajtjen e tij shpreh pakënaqësi të pozitës së tij në vendin e punës dhe për disa parregullsi rreth menaxhimit të gjykatës në përgjithësi.

Mes tjerash, B.N, pretendon se nga kryetarja e Gjykates ka pas ofendime me fjalët “Ose ti në këtë Gjykatë ose unë”, për faktin e mos lejimit të harxhimit të parave të imta nga ana e kryetares.

Pas analizimit të pretendimeve të ofruara nga parashtruesi i ankesës, Autoriteti Kompetent ka vlerësuar dhe konstatuar se ankesa kryesisht ka pretendime të pakënaqësisë së ushtruesit me pozitën e tij të vendit të punës e që nuk janë në kompetencën e Autoritetit Kompetent, andaj ankesën e ka konsideruar si të pabazuar dhe nuk ka të bëjë me ndonjë shkelje disiplinore.

Pretendimet e ushtruesit të ankesës se ka qenë i ofenduar nga Kryetarja e Gjykatës me fjalët: “Ose ti në këtë Gjykatë ose unë”, i njëjti e shpjegon dhe rrjedh nga vet fakti se në deklaratën e tij konstatohet se ka marrë udhëzime nga kryetarja për menaxhimin më të mirë të gjykatës dhe mos harxhimin e parasë së imët, mjete këto buxhetore për të cilat kujdeset kryetarja e gjykatës.

Autoriteti Kompetent gjeti se bazuar në dispozitën e nenit 14 të Ligjit për Gjykatat, Kryetari i Gjykatës Themelore, mes tjerash është përgjegjës për administrimin ditor të gjykatës, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara nga Këshilli, si dhe organizon dhe bashkërendon funksionimin e gjykatës; mbikëqyrë veprimtaritë financiare të gjykatës; dhe ndërmerr veprime të cekura me rregullat, procedurat apo urdhëresat e nxjerra nga Këshilli.

Kësisoj, Autoriteti Kompetent ka konstatuar se në rastin konkret, Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ka vepruar në kuadër të kompetencave ligjore.

Po ashtu në vendimin më të cilin është refuzuar ankesa, thuhet se është konstatuar se në parashtresat e palës, nuk potencohet as për ndonjë shkelje konkrete të supozuar disiplinore të paraparë Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.