Prokurori i Shtetit kërkon caktimin e paraburgimit ndaj katër personave

Prokuroria

Monitoruar nga Liridon Salihi

10:52 / 08 Qershor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka parashtruar tri (3) kërkesa për caktimin e paraburgimit ndaj katër (4) personave, të dyshuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale, raporton GLPS/Drejtësia Sot.

Sipas raportit 24 orësh të Prokurorit të Shtetit, kërkesa e parë është parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Ngacmimi”.

Kërkesa tjetër është parashtruar nga Prokuroria Themelore në Prizren, për dy (2) persona, të dyshuar për veprën penale “Dhuna në Familje”, kurse, kërkesa e tretë është bërë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, lidhur me caktimin e paraburgimit ndaj 1 personi, po ashtu i dyshuar për veprën penale “Dhuna në Familje”.

Ndryshe, referuar këtij raporti, në 24 orët e fundit nga ana e Prokurorive Themelore janë ngritur njëzetetetë (28) aktakuza kundër tridhjetegjashtë (36) personave, për vepra të ndryshme penale, kurse janë ndaluar njëzet (20) persona.

Përveç kërkesave për caktim të paraburgimit, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në 24 orëve të fundit, thuhet se janë ndaluar katër (4) persona, si dhe janë ngritur shtatë (7) aktakuza kundër nëntë (9) personave për vepra të ndryshme penale.

“Prokuroria Themelore në Prizren, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, si dhe ka ngritur katër (4) aktakuza kundër pesë (5) personave, të dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale” – thuhet në këtë raport.

Sa i përket Prokurorisë Themelore në Pejë, gjatë periudhës raportuese e njëjta ka ndaluar tre (3) persona për vepra të ndryshme penale, kurse ajo e Gjakovës ka ndaluar pesë (5) persona, si dhe ka ngritur shtatë (7) aktakuza kundër dhjetë (10) personave.

Prokuroria në Mitrovicë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar një (1) person, si dhe ka ngritur shtatë (7) aktakuza kundër nëntë (9) personave, për vepra të ndryshme penale, ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj, po ashtu ka ndaluar një (1) person për vepër penale “Dhuna në familje”, si dhe ka ngritur tre (3) aktakuza kundër tre (3) persona, për vepra të ndryshme penale.