Në agjendën e takimit të KGJK-së edhe trajtimi i dy rasteve disiplinore ndaj gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:55 / 23 Qershor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është duke vazhduar edhe më tutje mbledhja e 289 e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), e udhëhequr nga Kryesuesi Albert Zogaj, raporton Drejtësia Sot.

Në këtë takim, pa praninë e publikut, është planifikuar edhe shqyrtimi i raporteve mbi faktet dhe provat e mbledhura dhe marrëveshja e arritur për dy raste disiplinore.

Sipas agjendës, bëhet fjalë për rastet disiplinore ndaj gjyqtarëve të identifikuara si Nr.AD/KGJK/09/2022 /GJTHGJL – GJS-2022-006, dhe Nr.AD/KGJK/11/2022/GJTHM-AD/GJTHM/09/10/2022.

Ndryshe, pas përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Komerciale-Dhomat e shkallës së parë, KGJK sot ka vazhduar takimin me pikat e tjera të rendit të ditës.

Kësisoj, KGJK në vazhdim ka aprovuar propozimin për transferim të stafit mbështetës nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore Prishtinë në Gjykatën Komerciale, ndërsa më pas ka bërë edhe shqyrtimin e kërkesës buxhetore të Këshillit, për vitin 2023, sipas qarkores buxhetore 2023/1 dhe kërkesa shtesë.

Tutje, Këshilli ka shqyrtuar edhe shkresën e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, përmes së cilës u njoftua mundësia për ndjekjen e studimeve për dy gjyqtarë në Wake Forest University, në Karolinën Veriore, ShBA.

KGJK ka aprovuar edhe draft-Rregulloren nr. 05/2022 për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores Nr.04/2017 për Organizimin dhe Funksionimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës

Për njërën nga takimet e radhës është shtyrë pika e rendit të ditës që kishte të bënte me shqyrtimin e kërkesave për transferimin e tre bashkëpunëtorëve profesional, në kuadër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Tutje, anëtarët e KGJK-së kanë votuar pro caktimit të zyrtarëve përgjegjës në Këshill dhe në gjykata për zbatim të Ligjit Nr.06/L-081 për Qasje në Dokumente Publike, të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të Ligjit Nr. 06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme janë aprovuar edhe ndryshimet e planit të punës së Gjykatës Themelore në Ferizaj për vitin 2022, me numër GJ.A.nr.170/2022, të datës 1 qershor 2022, dhe të Gjykatës së Apelit për vitin 2022, me numër AGJ.nr.348/2022, të datës 9 qershor 2022.

Sa i përket draft – Memorandumit të bashkëpunimit në mes të Akademisë së Drejtësisë (AD) dhe Këshillit, i njëjti u aprovua si dhe autorizua kryesuesi Albert Zogaj për nënshkrimin e tij.

KGJK gjatë takimit të sotëm ka votuar edhe listën e gjyqtarëve që do të jenë pjesë e listës së gjyqtarëve që do të shërbejnë në Panele Hetimore, siç parashihet me Ligjin Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Pikë tjetër e diskutimit ishte edhe funksionalizimi i Gjykatës Komerciale, duke përfshirë ndryshimin e organogramit të saj, rritjen e numrit të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe rishpallja e konkurseve për pozitat që aktualisht janë të paplotësuara.

GLPS/Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë takim, link: https://www.rolpik.org/ish-kryesuesi-i-kgjk-se-avancohet-ne-poziten-e-gjyqtarit-te-gjykates-se-apelit/