Kuvendit i procedohen për lexim të dytë Projekt-Kodi i Procedurës Penale dhe tri projektligje të tjera

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

12:26 / 28 Qershor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Është mbajtur mbledhja e rregullt e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, e kryesuar nga kryetari Adnan Rrustemi.

Në këtë mbledhje, prezent ishin deputetët Blerta Deliu, Hajdar Beqa, Dimal Basha, Artan Abrashi, Erxhan Galushi, Hidajet Hyseni, Doarsa Kica dhe kryetari Rrustemi, të cilët aprovuan rendin e ditës dhe më pas filluan me shqyrtimin e pikave sipas agjendës së këtij takimi.

Fillimisht, anëtarët e Komisionit aprovuan raportet e komisioneve të përhershme të Kuvendit, lidhur me Projekt-kodin e Procedurës Penale nr.08/L-032.

Kësisoj, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka vlerësuar se ky dokument së bashku me amandamentet e propozuara nuk përmbajnë implikime buxhetore shtesë, po ashtu Komisioni për Integrim Evropian ka konstatuar se Projekt-kodi me amandamentet e propozuara nuk janë në kundërshtim me legjislacionin evropian.

Ndërsa Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, nuk e ka shqyrtuar raportin për vlerësim të këtij Projekt-kodi të dërguar nga Komisioni për Legjislacion, më datë 14 qershor 2022.

Më këtë rast, anëtarët e Komisionit u pajtuan që Projekt-kodi i Procedurës Penale nr.08/L-032, së bashku me amandamentet e propozuara, të procedohet për lexim të dytë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

E njëjta procedurë vazhdoi edhe lidhur me Projektligjin nr.08/L-132 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Projektligjin nr.08/L-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe për Projektligjin nr.08/L-129 për Shërbimin Sprovues të Kosovës.

Me këtë rast, Komisioni pas miratimit të raporteve vlerësuese ka rekomanduar për procedim në seancë plenare për lexim të dytë edhe këto tri akte ligjore.

Ndryshe, në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit shqyrtuan edhe vendimin e Kuvendit të Kosovës nr.08-V-298, lidhur me Projektligjin nr.08/L-052 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-010 për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, dhe morën vendim që të rithemelohet grupi punues për këtë projektligj, i cili do të kryesohet nga deputeti Rrustemi.