Dekretohen shtatë prokurorë të shtetit me mandat fillestar

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:30 / 13 Qershor 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Dena Arapi-Vardari, Lulzim Aliu, Qazim Kuqi, Qazim Xharra, Sedat Topalli, Shqiponjë Jupaj dhe Taulant Atashi, janë shtatë prokurorët e rinj të shtetit që iu shtuan sistemit prokurorial të Kosovës.

GLPS/Drejtësia Sot njofton se kandidatët e lartpërmendur nga sot filluan mandatin e tyre fillestar si prokurorë të shtetit, pasi të njëjtit u dekretuan nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë ceremonisë së betimit, shtatë prokurorët e rinj u betuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale.

“Ndërkaq, Presidentja Osmani ka theksuar se shteti ligjor dhe i së drejtës është parakusht për funksionimin e shtetit dhe shoqërisë, duke u bërë thirrje prokurorëve të rinj që në punën e tyre të jenë të pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit”- thuhet në njoftim.

Kujtojmë që më datë 14 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e 213-të më radhë, në të cilin ka aprovuar raportin e Komisionit për rekrutimin e prokurorëve të rinj të Shtetit, dhe ka propozuar listën prej shtatë kandidatëve, për dekretimin dhe emërimin e tyre me mandat fillestar.

Sipas raportit, Komisioni, pas përfundimit të të gjitha fazave në konkursin për rekrutimin e prokurorëve në kuadër të Prokurorive Themelore, i ka rekomanduar KPK-së aprovimin e listës prej shtatë kandidatëve më të suksesshëm.

Kësaj liste i printe kandidatja Dena Arapi-Vardari me 85.4 pikë, e pasuar nga Shqiponjë Jupaj me 85.2 pikë, Qazim Kuqi e Lulzim Aliu me nga 84.4 pikë, Taulant Atashi me 78.8 pikë, Sadat Topalli me 77.8 pikë, Qazim Xharra me 72.4 pikë dhe Nebih Hajdari me 58.8 pikë.

Më këtë rast, vetëm kandidati Hajdari nuk kishte arritur të propozohej për dekretim për shkak se me nenin 24, par.2, të Rregullores nr. 07/2015, konsiderohet se provimin e kalojnë kandidatët të cilët kanë arritur rezultate të larta, me kusht që të kenë arritur së paku 60 pikë në provimin me shkrim, intervistën me gojë dhe në vlerësimin e integritetit personal dhe aftësive profesional.

Kujtojmë që konkursi për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës, fillimisht ishte shpallur më 22 maj 2020, për tetë pozita, me ç’rast KPK kishte publikuar listën fillestare të kandidatëve të cilët i kishin plotësuar kriteret.

Më pas, kësaj liste i ishin shtuar edhe tetë kandidatë të tjerë, të cilët e kishin dëshmuar se aplikimin e kishin kryer online, ku numri i kandidatëve nga 202 sa ishin në fillim, tani përbëhej nga 210 kandidatë për prokurorë të shtetit në kuadër të pesë prokurorive themelore në nivel vendi.

Por, për shkak të pandemisë Covid-19, nuk ishte arritur të mbahet asnjë fazë e këtij konkursi si dhe me qëllim që të plotësohen edhe disa pozita më shumë me prokurorë të shtetit, KPK, më datë 27 prill 2021, kishte ri-shpallur këtë konkurs, me ç’rast, nga tetë pozita të lira sa ishin në fillim, ishte vendosur që të shpallen gjithsej 16 vende të lira për prokurorë të shtetit në kuadër të gjashtë prokurorive themelore.

Rritja e numrit të pozitave të lira ishte arsyetuar nga ana e Kryesuesit Jetish Maloku edhe për faktin se gjatë vitit paraprak kishin vdekur 5 prokurorë të shtetit ndërsa gjatë vitit 2021, do të pensionohen 6 prokurorë të tjerë.

Konkursi i ri-shpallur përfshinte nga katër pozita në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Gjakovë, tre pozita në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, nga dy pozita në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe në Gjilan, dhe një pozitë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Me qëllim të kompletimit të procedurave, KPK në takimin nr, 198, i mbajtur më 27 prill 2021, kishte themeluar Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim, si dhe kishte caktuar administratore të provimit, znj. Ismije Maxhuni.

Testi kualifikues për 16 pozita për prokurorë të shtetit është mbajtur më datë 21 nëntor 2021, ku nga 362 kandidatë që kishin aplikuar, këtij testimi i janë nënshtruar vetëm 277 prej tyre, pasi që 85 të tjerë ishin tërheq nga gara.

Pas fazës së ankesave, listës përfundimtare të atyre që e kanë kaluar me sukses fazën e testit kualifikues i ishin shtuar edhe 8 kandidatë të tjerë, ku në total numri i kandidatëve që kishin kaluar testin kualifikues ishte 185.

Më datë 19 dhjetor, vetëm 180 kandidatë i ishin nënshtruar testit me shkrim, dhe pas kontrollimit dhe vlerësimit të testeve, Komisioni Rekrutues kishte konstatuar se vetëm gjashtë kandidatë kanë arritur të kalojnë me sukses këtë fazë.

Ndërsa, në fazën e ankimimit, Komisioni për Rishqyrtim, i kishte refuzuar të gjitha ankesat që ishin parashtruar nga ana e kandidatëve që nuk kishin arritur të kalonin këtë testim.

Kësisoj, me 3 mars 2022, kishin filluar intervistat për gjashtë kandidatët më të suksesshëm të konkursit: Dena Arapi-Vardari, Lulzim Aliu, Qazim Kuqi, Sadat Topalli, Shqiponje Jupa dhe Taulant Atashi, dhe për dy kandidatët që e kishin përfunduar trajnimin në ish-Institutin Gjyqësor të Kosovës, Nebih Hajdari dhe Qazim Xharra.

Intervistimi i këtyre tetë kandidatëve ishte bërë nga Komisioni i udhëhequr nga ish-Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe anëtarët Xhevdet Bislimi, Lulzim Sulejmani, Kujtim Munishi dhe Arijana Shajkovci.

Katër ditë më vonë, Komisioni për Rekrutim ka publikuar listën preliminare të rezultateve nga konkursi për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore, ku printe kandidatja Dena Arapi-Vardari me 85.4 pikë, e pasuar nga Shqiponjë Jupa me 85.2 pikë, Qazim Kuqi e Lulzim Aliu me nga 84.4 pikë, Taulant Atashi me 78.8 pikë, Sadat Topalli me 77.8 pikë, Qazim Xharra me 72.4 pikë dhe Nebih Hajdari me 58.8 pikë.

Kësisoj, kandidati Hajdari, nuk kishte arritur që të fitonte pikët e mjaftueshme që do t’i mundësonin atij propozimin për dekretim tek Presidentja.

Ndryshe, nga raporti i prezantuar nga administratorja e provimit, Ismije Maxhuni, dhe anëtarja e Komisionit për Rekrutim, prokurorja Arijana Shajkoci, është konstatuar se i gjithë procesi i rekrutimit të prokurorëve të rinj, që nga fillimi e deri në përfundim të tij, është realizuar me sukses, profesionalizëm dhe transparencë të lartë.

GLPS/Drejtësia Sot ka monitoruar këtë proces dhe për të njëjtin ka raportuar në vazhdimësi, link:  https://www.rolpik.org/publikohen-rezultatet-preliminare-te-kandidateve-per-prokurore-te-shtetit/