Shpallet konkursi për transferim të përhershëm të prokurorëve të shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

13:24 / 23 Maj 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Nga sot e deri më 6 qershor 2022, është e hapur shpallja e brendshme për transferimin e përhershëm të prokurorëve të shtetit, në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe asaj në Ferizaj, raporton Drejtësia Sot.

Sipas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në këtë konkurs parashihet transferimi i përhershëm i shtatë prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm në Prishtinë, dhe një prokurori në të njëjtin departament të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Në bazë të Rregullores Nr.02/2021 për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, parashihet mundësia që prokurorët të transferohen në Departamentin e njëjtë të Prokurorisë tjetër po të të njëjtit nivel.

Kriteret për transferim të përhershëm të prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Ferizaj, janë: prokurori duhet të jetë me mandat të përhershëm, të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore, përjashtimisht vërejtjes jopublike dhe qortimi, përveç nëse transferimi është bërë me vendim të KPK-së si masë disiplinore dhe të ketë vlerësim të performancës të mjaftueshëm ose më të lartë.

Komisioni i caktuar nga KPK, me rastin e vendosjes për transferim të përhershëm të prokurorëve do të merr parasysh përvojën e punës, vendbanimin e kandidatit dhe mendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë që e ka kërkuar transferimin.

Përveç plotësimit të formularit për transferim të përhershëm, kandidatët duhet të bashkëngjisin edhe dokumentet si në vijim: vlerësimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë përkatëse për tri vitet e fundit, certifikatat e pjesëmarrjes në trajnime, dokumentet apo të dhënat e tjera relevante ose objektivisht të verifikueshme, siç janë ato për njohjen e ndonjë gjuhe të huaj, mësimdhënia në nivel universitar, publikime shkencore, pjesëmarrja si ekspert në projekte vendore dhe ndërkombëtare dhe në ekipe hetuese.

KPK inkurajon prokurorët e gjinisë femërore dhe prokurorët nga radhët e komuniteteve jo shumicë që të aplikojë lidhur me pozitat e lira sipas këtij konkursi.

Kandidatë duhet të plotësojnë formularin për transferimin e prokurorëve të shtetit, i cili është i qasshëm në linkun https://www.prokuroria-rks.org/shpallje/183/331/ , e më pas komplet dokumentet e kërkuara duhet t’i dorëzojnë tek Koordinatorja për Emërim, Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit, znj. Ismije Maxhuni.

GLPS/Drejtësia Sot do të raportojë në vazhdimësi lidhur me këtë konkurs.