PSRK ngrit aktakuzë për korrupsion ndaj katër personave

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

12:16 / 12 Maj 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër katër personave, raporton Drejtësia Sot.

Sipas komunikatës së PSRK-së, katër të akuzuarit janë me iniciale F.M., Dh.H., G.D dhe E.T.

Prokuroria Speciale njofton se tre të pandehurit me inicialet F.M., Dh.H dhe G.D, në cilësi të personave zyrtarë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2, të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Kurse, i pandehuri E.T. dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2, lidhur me nenin 33, të KPRK-së, thuhet në komunikatën e PSRK-së.

Ndryshe, PSRK edhe dje ka ngritur një aktakuzë tjetër për korrupsion ndaj dy zyrtarëve me inicialet B.N. dhe D.M. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 81 dhe 31, të Kodit nr. 04/L-082 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipsas PSRK-së, gjatë periudhës kohore nga muaji shtator 2011 deri në gusht 2018, në vazhdimësi dhe në cilësinë e personave zyrtarë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP), më pas Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (AShNA), të pandehurit B.N. dhe D.M e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar OE “TCN” nga Tirana, përfitim të kundërligjshëm.

Me këto veprime, të pandehurit B.N. dhe D.M, kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 422, paragrafi 2 lidhur me nenin 81 dhe 31 të KPRK-së.

Monitorues Liridon Salihi