KPK miraton raportet e punës së prokurorive për periudhën janar-mars 2022

Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

14:58 / 17 Maj 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), nën udhëheqjen e Kryesuesit Jetish Maloku, ka
mbajtur takimin e 215-të më radhë, raporton Drejtësia Sot.

Fillimisht, Këshilli, në përbërje nga 11 anëtarë, ka aprovuar procesverbalet e dy mbledhjeve
paraprake të këtij institucioni e më pas ka miratuar edhe raportet e punës së prokurorive për
tremujorin e parë të vitit 2022.

Lidhur me punën e Prokurorisë së Apelit, Kryeprokurori Xhevdet Bislimi, ka theksuar se ky
institucion në periudhën janar-mars 2022, ka arritur që të përfundojë të gjitha lëndët e
pranuara, si ato në Departamentin e Krimeve të Rënda e po ashtu edhe ato të Departamentit të
Përgjithshëm.

Kurse, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim
Isufaj, theksoi se në këtë periudhë raportuese ky institucion ka pranuar 20 raste të reja, ndërsa
prokurorët kanë zgjidhur 19 lëndë. Sipas z.Isufaj, aktualisht PSRK ka në punë 1 mijë e 672
lëndë, prej tyre 89 lëndë të korrupsionit, 80 raste të krimit të organizuar, ndërsa në kuadër të
lëndëve të shenjëstruara bëjnë pjesë 80 raste me 716 persona.

Sa i përket Prishtinës, Kryeprokurori Kujtim Munishi, gjatë prezantimit të raportit ka
theksuar se në këtë tremujor raportues janë pranuar 2 mijë e 565 kallëzime, ku prej tyre janë
proceduar 2 mijë e 185 lëndë, ndërsa në total kësaj prokurorie në punë i mbesin edhe 47 mijë
e 661 lëndë.

Gjatë kësaj periudhe kohore, kjo prokurori ka ngritur 1 mijë e 527 aktakuza, ku 276 prej tyre
janë hudhur për shkak të parashkrimit në gjykatë. Po ashtu, z. Munishi para Këshillit paraqiti
edhe disa kërkesa që kishin të bëjnë me rritjen e numrit të prokurorëve, kushtet e punës dhe
sigurisë në objektin e këtij institucioni, mungesa e një psikologu në Departamentin për të
Mitur, etj.

Admir Shala, Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, gjatë prezantimit të raportit
tremujor theksoi se janë pranuar 757 kallëzime penale, janë proceduar 746 raste, janë ngritur

594 aktakuza, dhe janë marrë 481 aktgjykime dënuese. Sipas z. Shala, aktualisht kjo
prokurori në punë ka 604 lëndë, 16 prej të cilave janë të natyrës së korrupsionit.

Në periudhën janar-mars 2022, Prokuroria Themelore në Pejë ka pranuar 694 kallëzime
penale, ka proceduar me 530 lëndë, ka ngritur 403 aktakuza, ku në 315 raste gjykatat kanë
marrë aktgjykim dënues. Kryeprokurori Agim Kurmehaj ka dhënë detaje edhe për cështje të
tjera që e kanë karakterizuar punë e kësaj prokurorie, ku ndër të tjera e theksoi trendin pozitiv
të fillimit të hetimeve me vetiniciativë të prokurorëve.

Në tre muajt e parë të këtij viti, Prokuroria Themelore në Gjilan, e udhëhequr nga
Kryeprokurori Arben Kadriu, ka pranuar 663 lëndë të reja dhe i ka proceduar 485 prej tyre.
Po ashtu, sipas raportit, gjatë kësaj kohe nga ana e gjykatës janë marrë 573 aktgjykime
dënuese ndërsa, për shkak të parashkrimit, janë hudhur poshtë 140 aktakuza.

Prokurori Agim Kuka, para anëtarëve të KPK-së ka prezantuar raportin e punës së
Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ku ndër të tjera u theksua se kjo prokurori në periudhën
raportuese ka pranuar 565 kallëzime penale, ka proceduar me 512 raste dhe ka ngritur 399
aktakuza.

Në këtë periudhë raportuese, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka ngritur 465 aktakuza, në
138 prej tyre gjykata ka marr aktgjykim dënues. Sa i përket rasteve të korrupsionit,
Kryeprokurori Ismet Ujkani, theksoi se gjatë kësaj kohe janë pranuar 15 raste të reja, janë
proceduar 6 prej tyre, ndërsa 106 raste mbesin në punë.

Në Gjakovë, Prokuroria Themelore e udhëhequr nga Ramiz Buzhala, në këtë tremujor ka
pranuar 768 lëndë të reja, ka proceduar me 437 raste, ndërsa i mbesin në punë edhe 830
lëndë. Sa i përket lëndëve korruptive, u bë e ditur se kjo prokurori ka pranuar 13 lëndë të reja
kurse ka proceduar me 7 prej tyre, ndërsa aktive i mbesin edhe 52 lëndë.

Tutje, KPK ka aprovuar edhe raportin e vitit 2021 të mekanizmit përcjellës ndërinstitucional
për veprat penale karakteristike, ku bëjnë pjesë veprat penale që lidhen me armët, drogat,
kontrabandimin me migrantë, krimi i organizuar, korrupsion, shpëlarje të parave, trafikim me
njerëz, krimet ekonomike dhe nxitjen e urrejtjes.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit të kaluar janë pranuar 2 mijë e 924 raste të reja, ku 94% prej
tyre janë parashtruar nga organet publike ndërsa vetëm 6% nga ana e qytetarëve.

Nga totali prej 4 mijë e 134 raste që ishin në punë gjatë kësaj periudhe, prokuroritë kanë
arritur të procedojnë me 2 mijë e 44 lëndë, ndërsa kanë shënuar trend pozitiv sa i përket
numrit të aktakuzave të ngritura, me theks të vecantë ato për rastet e korrupsionit.

KPK sot ka bërë edhe plotësimndryshimin e Vendimit KPK/Nr. 889/2021, i datës 2 dhjetor
2021, që ka të bëj me përbërjen e Komisionit për Avancim dhe Transferim të Prokurorëve,
ashtu që në vend të prokurorit Aleksandër Lumezi është caktuar UD Kryeprokurori i Shtetit,
Besim Kelmendi.

Po ashtu, Këshilli ka aprovuar kërkesën z. Kelmendi për përjashtimin e tij nga trajtimi i një
rasti penal.

Tutje, KPK mori vendim edhe për shpalljen për transferim të tetë prokurorëve në
departamentet e përgjithshme të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës, përkatëisht
shtatë pozita në Prishtinë dhe një në Ferizaj.

KPK në rend të ditës kishte edhe Memorandumin e Bashkëpunimit më Grupin për Studime
Juridike dhe Politike (GLPS), por kjo pikë e diskutimit ka mbetur të trajtohet në takimet e
radhës, pasiqë nga ana e anëtarit Ardian Hajdaraj, u kërkua që Sekretariati i KPK-së të
përgatit një raport lidhur me bashkëpunimin që ka pasur KPK me GLPS-në në projektet
paraprake dhe detajet që dalin nga Memorandumi i ri.

Pa praninë e publikut, KPK në agjendë kishte shqyrtimin e këtyre pikave: Raporti për
vlerësimin e parregullt të katër (4) prokurorëve KVPP-359/2022; Rasti disiplinor
AD.nr.12/2021 për këshillim dhe votim, si dhe opinioni ligjor lidhur me këtë rast; dhe
Marrëveshje vullnetare për shkeljen e supozuar disiplinore në dy raste disiplinore.

GLPS/Drejtësia Sot në vazhdimësi raporton për takimet e KPK-së, link:
https://www.rolpik.org/prokurori-besim-kelmendi-pranon-detyren-e-kryeprokurorit-te-shtetit/