Prishtinë, 22 prill 2022
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), gjatë ditës së mërkurë, datë 20 prill 2022, ka mbajtur takimin nr.283 dhe takimin nr.284, në të cilin ka shqyrtuar pikat e rendit të përcaktuara sipas agjendës së këtyre mbledhjeve.
Fillimisht, në takimin nr. 283, KGJK, pas votimit të fshehtë, me votat e të gjithë anëtarëve, ka zgjedhur gjyqtarin Mahir Tutuli në pozitën e Kryetarit të Gjykatës Komerciale, mandati i të cilit fillon nga data 21 prill 2022, dhe zgjat 5 vite.
Që nga shpallja e konkursit, me 4 mars 2022, gjyqtari Tutuli si kundërkandidat për kryetar të Gjykatës Komerciale kishte gjyqtarin Ramiz Kuqi, kurse nga vlerësimi i koncept dokumenteve dhe intervistave të kandidatëve, të njëjtit janë propozuar për votim në Këshill, për shkakun se kandidati Tutuli ishte vlerësuar me 87.66 pikë ndërsa kandidati Kuqi me 80 pikë.
Më pas, KGJK ka përzgjedhur dhe emëruar gjyqtarin Betim Behluli, në pozitën e Gjyqtarit mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, me 8 nga 9 votat e anëtarëve prezent.
Kurse, në konkursin për Gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore Gjilan – Dega Kamenicë, me 8 vota të anëtarëve të KGJK-së, në këtë pozitë është emëruar gjyqtarja Valbonë Dërvodeli.
Në këtë takim të KGJK-së është prezantuar raporti i komisionit ad hoc për auditimin e ekzekutimeve të dënimeve gjyqësore në lëmin penale dhe kundërvajtje, ku nga të gjeturat e këtij komisioni konstatohet një numër i madh i dënimeve penale dhe të kundërvajtjeve të parashkruara dhe mosrespektim i Rregullores në fuqi nga ana e Zyrave për Menaxhim të Lëndëve në kuadër të gjykatave.
Kësisoj, Këshilli kërkoi nga Komisioni për Administrimin e Gjykatave që të trajtojë me seriozitet të gjitha të gjeturat nga raporti dhe që nga ana e kryetarëve të gjykatave të kërkohet mbikëqyrje dhe efikasitet më i madh në ekzekutimin e dënimeve.
KGJK ka aprovuar kërkesën e z. Dardan Kadolli, gjyqtar në Gjykatën Themelore Prishtinë, lidhur me dorëheqjen nga funksioni i koordinatorit për rastet e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, kurse në vend të tij është caktuar gjyqtarja Hunaida Pasuli.
Për takimin e datës 28 prill, Këshilli ka vendosur që të diskutojë mundësinë e vazhdimit ose ndërprerjes së Memorandumit të bashkëpunimit me Odën e Avokatëve të Kosovës.
KGJK poashtu mori vendim për caktimin e Vlora Gjurkës në pozitën e sekretares së komisionit për interpretë dhe përkthyes gjyqësor, në çiftin e gjuhëve shqip – anglisht dhe anasjelltas.
Tutje, Kryetarja e Komisionit për Vlerësimin e Performancës, gjyqtarja Teuta Ibrahimi, ka prezantuar para Këshillit raportin e vlerësimit të performancës së 24 gjyqtarëve me mandat fillestar pas përfundimit të trajnimit fillestar. Sipas këtij raporti, konstatohet se në pjesën teorike, 12 gjyqtarë janë vlerësuar mjaftueshëm ndërsa 12 të tjerë janë vlerësuar mirë, në pjesën teorike të gjithë kanë pasur vlerësim pozitiv dhe asnjëri nuk ka nevojë të ndjek ende trajnime fillestare.
Kurse, nga komunikata për media është bërë e ditur se në pjesën e mbyllur të takimit, Këshilli ka trajtuar raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/10/2021/GJTHPE-AD/GJTHPE/.nr.15/21, me ç’rast Këshilli refuzoi marrëveshjen vullnetare për shkeljen e supozuar.
Po ashtu, KGJK ka shqyrtuar raportin mbi faktet dhe provat e mbledhura në rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/02/2022/GJTHFZ-AD.nr.01/2022, me ç’rast Këshilli miratoi marrëveshjen vullnetare për shkeljen e supozuar dhe e ka revokuar vendimin për suspendimin e një gjyqtari.
Këshilli bëri shqyrtimin e kërkesës për inicim te procedurës disiplinore për rastin AD/KGJK/01/2022, shqyrtimin e kërkesës së kryesuesit të panelit hetimor në rastin disiplinor me Nr.AD/KGJK/09/2022/GJTHGJL-GJS-2022-006; dhe shqyrtimin e ankesës së njërit prej kandidatëve për kryetar të Gjykatës Themelore në Gjilan.
Kurse, në mbledhjen nr. 284-të, Këshilli me 7 vota pro, ka përzgjedhur dhe emëruar gjyqtarin Venhar Salihu në pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan. Mandati i tij në këtë pozitë fillon nga 20 prill 2022, dhe zgjat 5 vite.
Tutje, meqenëse në takimin paraprak ishte emëruar gjyqtari Mahir Tutuli në pozitën e Kryetarit të Gjykatës Komerciale, ky institucion ka caktuar anëtarët e Komisionit Vlerësues dhe të Komisionit Rishqyrtues, për rekrutimin e gjyqtarëve të kësaj gjykate.
Pa praninë e mediave dhe publikut, KGJK kishte në rend të ditës edhe shqyrtimin e kërkesave për themelimin e tre paneleve hetimore ndaj tre gjyqtarëve.
Përgatiti Liridon Salihi
Lajmet në fokus