Prokurori Besim Kelmendi pranon detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit

Prokuroria

Monitoruar nga

13:54 / 22 Prill 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prishtinë, 22 prill 2022

Institucioni i Prokurorit të Shtetit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se Kryeprokurori i deritanishëm i Shtetit, Aleksandër Lumezi, sot ia ka dorëzuar detyrën e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, prokurorit Besim Kelmendi.

Në komunikatë thuhet se gjatë kësaj ceremonie Kryeprokurori i deritanishëm Lumezi, i ka uruar suksese dhe mbarësi U.D. Kryeprokurorit Kelmendi, në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe ligjore gjatë udhëheqjes së institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Ndërsa, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, ka falënderuar Kryeprokurorin e deritanishëm, Aleksandër Lumezi, për punën, angazhimin dhe profesionalizmin e treguar përgjatë ushtrimit të mandatit kushtetues si Kryeprokuror i Shtetit i Republikës së Kosovës.

Ky pranim-dorëzim vjen pas përfundimit të mandatit kushtetues shtatë (7) vjeçar të Kryeprokurorit të deritanishëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili ishte emëruar në këtë pozitë më 21 prill 2015. 

Prokurori Kelmendi do të jetë Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit deri në momentin kur të bëhet dekretimi i Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Kujtojmë që Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin që ka mbajtur dje ka caktuar prokurorin Besim Kelmendi në pozitën e UD Kryeprokurorit të Shtetit, pasi që po këtë ditë i përfundoi mandati Aleksandër Lumezit, i cili për shtatë vite ishte në krye të Institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Prokurori Besim Kelmendi për katër vite ishte gjyqtar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, pastaj për gjashtë vite punoi si prokuror në Prokurorinë e Shtetit, pesë vite e gjysmë tjera si Prokuror Special në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa nga data 01.09.2015, është Prokuror i Shtetit ne Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH).

Ndryshe në takimin e KPK-së, Kryesuesi Jetish Maloku, theksoi se Presidentja nuk ka kthyer ende përgjigje lidhur me propozimin për dekretimin e prokurorit Blerim Isufajt për Kryeprokuror të Shtetit, prandaj Këshilli është i obliguar të caktoj një Ushtrues Detyre për këtë pozitë.

Fillimisht, anëtarja e KPK-së, prokurorja Bedrije Alshiqi, kishte propozuar që si Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit të caktohet z.Lumezi, mirëpo i njëjti është deklaruar se nuk pranon të marr një pozitë të tillë.

Prokurorja Jehona Grantolli, po ashtu anëtare e Këshillit, për UD Kryeprokuror të Shtetit ka propozuar prokurorin nga ZKPSH, Besim Kelmendi. Këtë propozim e kanë përkrahur edhe anëtarët e tjerë të KPK-së, me ç’rast z. Kelmendi do të jetë UD Kryeprokuror i Shtetit deri në dekretimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit.

Kryesuesi Maloku, Zëvendës Kryesuesi, Veton Shabani, dhe anëtarja Grantolli,  mbajtën nga një fjalë rasti duke ju drejtuar z.Lumezit, për kontributin e tij në punën e Këshillit dhe Institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Ndryshe, në mbledhjen nr.214 të Këshilli u aprovua edhe një kërkesë për fillimin e procedurës disiplinore ndaj një prokurori në Prishtinë, si dhe ka zgjedhur anëtarët e rregullt dhe rezervë që do të shërbejnë në panelin hetimor.

Linku nga lajmi paraprak: https://www.rolpik.org/blerim-isufaj-i-prin-listes-se-kandidateve-me-te-vleresuar-per-kryeprokuror-te-shtetit/