Prishtinë, 26 prill 2022
Gjykata e Apelit në Kosovë – Departamenti Special, në Kolegjin Penal të përbërë nga gjyqtarët, Tomisllav Petroviq – Kryetar i kolegjit, Burim Ademi dhe Bashkim Hyseni, ka marrë vendim që rasti “Veteranët” të kthehet në rigjykim dhe vendosje.
Sipas komunikatës për media të lëshuara nga ky institucion, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, kjo gjykatë ka vendosur që ta aprovoj ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa ta anuloj aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.230/2018, i datës 16 prill 2021, dhe kjo çështje penale do t’i kthehet në rigjykim dhe rivendosje të njëjtës gjykatë.
Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, ishin liruar nga akuza për shkak të veprës penale në bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422, paragrafi 1. lidhur me nenin 31 të KPRK.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila përfaqësohet nga prokurori Valdet Gashi, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.
Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.
Me veprimet e kundërligjshme pretendohet se buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në shumë prej 88.769.217.04 euro.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: https://www.rolpik.org/apeli-ndane-ne-pune-rastin-e-njohur-veteranet/
Përgatiti Liridon Salihi
Lajmet në fokus