Zyrtari i personelit në Stacionin Policor në Gjilan, Xhavit Azizi, është liruar nga akuza në rastin ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Drejtësia Sot.
Kjo është bërë e ditur pas komunikimit të aktgjykimit nga gjyqtari i lëndës Sabedin Mushica, në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës, ndërsa palët e pakënaqura ndaj këtij vendimi mund të ushtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit, tha ndër të tjera gjyqtari Mushica.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 5 janar 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Azizit sepse i njëjti nga 7 korriku 2017 deri më 18 shkurt 2020, si zyrtar i personelit në Stacionin Policor në Gjilan – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët, e në të cilin sirtar është mbajtur edhe arma zyrtare e zyrtares policore Valdete Bllaca.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari duke mos i ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, tani e ndjera, zyrtarja policore Valdete Bllaca, i ka fotokopjuar çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e vet zyrtare të llojit “Gllock”, e cila armë i është sekuestruar për shkak të gjendjes shëndetësore psikike më 18 shkurt 2020, e me të cilën armë në shtëpinë e saj kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit edhe veten.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi këtë rast
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus