Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi si dhe 3 zyrtarëve e tjerë të KPK-së, shoferi i tij Ardian Krasniqi dhe zyrtaret Marigonë Berisha dhe Flora Doda, raporton “Drejtësia Sot”.
Me të filluar seanca e sotme, e udhëhequr nga gjyqtari Alban Ajvazi procesi gjyqësor vazhdoi me marrjen në pyetje të dëshmitarit nga ana e mbrojtjes së të akuzuarëve.
Kështu duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve të mbrojtës dëshmitari Bashkim Mulolli vazhdoi dëshminë e tij duke thkeksuar se nuk ka qenë në dijeni se ndaj tij ka pasur hetime. Ai po ashtu deklaroi se nga ky rast ska pasur kurrfar përfitimi si dëshmitar bashkëpunues. Po ashtu e pranoi se gjatë sa ishte në burg ka parashtruar kërkesë për lirim me kusht e cila i është aprovuar.
Tutje i njëjti theksoi se nuk i ka besuar asnjëherë Ardianit por se kur ka biseduar me Lavdimin I ka besuar këtij të fundit dhe ka filluar të bëjë pagesa për Ardianin. Po ashtu pohoi se i ka pare sms-at që kanë komunikuar Ardiani me Lavdimin.
Ndërsa për të pandehurën Marigona Berisha deklaroi se ka dëgjuar kur i kanë ardhur me pa kerrin Lavdimi, Ardiani dhe Marigona. Ai tha se të njejtës i ka pëlqy shume vetura dhe se normale sipas tij sepse e ka marrë kerrin pa pare.
Tutje dëshmitari tha se në takimin te noteri Sefedin Blakaj ai nuk ka nënshkruar asnjë document dhe se aty vetëm e ka shoqëruar pronarin e firmës Hysi për ti bartë dokumentet e veturës tek Marigona. Në takim të noteri dëshmitari tha se ai nuk ka qëndru gjatë aty dhe se cfarëdo kontrate që është nënshkruar apo veprimi që është marrë nuk ka qenë në dijeni ai sa i përket bartjes së veturës apo edhe kontratën për bartjen e transaksionit. Madje kur u ballafaqua me një kontratë të nënshkruar kinse nga ai vet, ky dëshmitar deklaroi se ky nuk është nënshkrimi i tij.
Në fund me qenëse avokati i të pandehurit Ardian Krasniqi, avokat Alban Makolli kërkoi nga gjykata kohë për ti shqyrtuar materialet e lëndës në atë mënyrë që të përgadisë pyetjet për dëshmitarin, gjykata vendosi ta ndërpresë gjykimin e sotëm.
Kështu, nën këto rrethana, trupi gjykues vendosi që këtë seancë ta ndërpresë, dhe të caktoi seancën e radhës më 31 mars 2022, ora 9:00
Kujtojmë se Gjykata e Apelit, kishte vendosur që të ndryshoj aktvendimin e shkallës së parë për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Lavdim Krasniqit, shoferit të tij Ardian Krasniqit dhe zyrtares Marigona Berisha të cilët akuzohen për korrupsion dhe disa vepra të tjera penale.
Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte vendosur që ndaj Lavdim Krasniqi të hedh poshtë dy pika të aktakuzës dhe pushohet procedura penale për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën IV, si dhe për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën V të dispozitivit të aktakuzës.
Edhe për të akuzuarën Marigona Berisha për shkak të mungesës së aktvendimit për fillimin apo zgjerimin e hetimeve është hedhë poshtë aktakuza dhe pushon procedura penale për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, par.1 të KPRK-së, si në pikën VI të dispozitivit.
Por Gjykata e Apelit, duke vendosur mbi ankesat dhe kërkesat për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave të paraqitura nga palët, ka marrë aktvendim lidhur me pikën III nënpikën 1 të dispozitivit, ashtu që ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për hedhjen e aktakuzës të parashtruara nga mbrojtësi i të pandehurit Lavdim Krasniqi.
Mirëpo kjo gjykatë ka vendosur që të kthej në rivendosje dhe rishqyrtim këtë çështje sa i përket pikës III nënpikës 2 të dispozitivit ndaj të pandehurës Marigona Berisha lidhur me veprën penale “Blerja pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333 par. 1 i KPRK-së.
Kështu arsyetimi i zgjeruar dhe i detajuar i Apelit, sqaron mungesat dhe gabimet e aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke theksuar se Gjykata e Apelit nuk mund t’i pranojë si të qëndrueshme dhe të mjaftueshme arsyet e dhëna nga gjykata kur ka vlerësuar hedhjen e aktakuzës nga pika V ndaj të pandehurit Lavdim Krasniqi.
Në këtë aktvendim thuhet se Gjykata e shkallës së parë është lëshuar në vlerësimin e provave kontradiktore, gjë që në këtë fazë të procedurës penale nuk mund të bëhet dhe nuk mund të konstatohet ekzistimi apo jo i pa/fajësisë, sepse kjo mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave në të cilat mbështetet dyshimi i bazuar mirë për ngritjen e aktakuzës.
Më pas kjo gjykatë ka shtuar se vepra penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare“ dyshohet të jetë kryer në bashkëkryerje në mes Lavdim Krasniqit me të pandehurën Flora Doda, për të cilën gjykata ka refuzuar hedhjen e aktakuzës, e që duke tejkaluar standardin e asaj që konsiderohet si dyshim i bazuar mirë, themelorja është lëshuar në elaborimin e provave materiale, duke vlerësuar fuqinë e tyre provuese duke iu referuar provave konkrete.
Sa i përket ankesës së mbrojtjes lidhur me disa nga provat mbi të cilat janë ndërtuar disa pika të aktakuzës, konkretisht pika III nënpika 2 e dispozitivit të akuzës, Gjykata Themelore u udhëzua që në rishqyrtim dhe rivendosje ti kthej këto pika në Prokurori, ku kjo e fundit pas hetimit për këto vepra penale dhe mbledhjes së provave, të vendos për ngritjen apo jo të aktakuzës.
Tutje Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë duke vërtetuar vendimin e shkallës së parë me të cilën kishte shpallur si provë të papranueshme transkriptimin e bisedës së bashku me CD e 26 shkurtit të marra në bazë të urdhëresës së gjykatës më 25 shkurt 2021.
Kujtojmë se në seancën fillestare të mbajtur më date 6 tetor 2021, të akuzuarit në fjalë e mohuan tërësisht fajësinë për veprat penale që iu ngarkoheshin nga aktakuza e Prokurorisë në Prishtinë.
Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus