Shtyhet për shkak të grevës së administratës së gjykatës, gjykimi për shpërlarje parash

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

16:43 / 11 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, sot për shkak të grevës së administratës së gjykatës, ka dështuar të mbahet, gjykimi ndaj Ilir Gegajt, Kastriot Gegajt, Zef Puës, Kushtrim Ademit dhe Tomë Pukës, të akuzuar për shpërlarje të parave në rastin ndaj ish-gjyqtarit Kolë Puka, rast ky që për tetë vite kishte mbetur në harresë, raporton Drejtësia Sot.

Seanca e sotme dështoi të mbahet për shkak të grevës së administratës së gjykatës, për të cilën arsye nuk kishte  procesmbajtës, ndërsa në sallë munguan edhe disa të akuzuar.

Gjyqtarja Valbona Musliu-Selimaj, tha se për palët prezente do të mbante një shënim zyrtar, meqë nuk kishte procesverbal. Ajo tutje theksoi se, gjykata kishte pranuar dëshmi se njëri nga të akuzuarit ka ndërruar jetë, andaj për të njëjtin do të shuhet procedura, ndërsa për të akuzuarit e tjerë jo prezent, procedura do të veçohet.

Për të akuzuarin Kushtrim Ademi, gjykata do të caktoj avokat tjetër sipas detyrës zyrtare, sepse i njëjti me pretendimin se mbrojtësi i tanishëm kishte pasur lidhje me palë tjera në këtë rast, tha se nuk dëshironte të përfaqësohej nga ai,.

Seanca e radhës për këtë rast, u caktua të mbahet me 28 mars, me fillim në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ish prokurori Ali Rexha, të pandehurit Ilir Gegaj, Kastriot Gegaj, Zef Puka, Kushtrim Ademi dhe Tomë Puka me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti dhe për të akuzuarin në raste tjera Kolë Puka, ish gjyqtar në Gjykatën Komunale në Klinë, nga e cila pozitë duke e keqpërdorur në mënyrë të skajshme ka përfituar mjete financiare në vlera të mëdha dhe atë milionëshe. Të pandehurit e lartshënuar, duke ditur për krejt këto rrethana i kanë ndihmuar të akuzuarit Kolë Pukës në atë mënyrë që pasurinë e tundshme dhe të patundshme, të cilën e ka përfituar me mjete financiare të përfituara me aktivitet kriminal, i kanë marrë në posedim duke mos i shfrytëzuar fare me qëllim që ta fshehin ose maskojnë mënyrën e përfitimit të pasurisë nga ana e Kolë Pukës.

Të cilët secili veç e veç kanë kryer veprën penale Shpërlarja e parasë nga neni 32 pika 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpërlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, e cila vepër penale më parë ka qenë e sanksionuar me nenin 10.2 “e” të rregullores së UNMIK-ut 2004/2.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: Mungon prokurori dhe disa të akuzuar, shtyhet për në mars gjykimi për shpërlarje parash – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Kujtim Kastrati