Shtyhet për muajin Maj gjykimi për shpërlarjen e parave në vlerë mbi 65 mijë euro

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

10:07 / 10 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Për shkak të grevës të cilën po e mban administrata, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk është zhvilluar gjykimi i sotëm ndaj të akuzuarit për shpërlarje të parave, M.G., raporton Drejtësia Sot.

Në sallën ku pritej të mbahej seanca u paraqit trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Musa Kongjeli, i cili njoftoi se si rezultat i grevës së stafit mbështetës kjo seancë nuk do të zhvillohet.

Përveç kësaj, ai tha se po ashtu mungon edhe dëshmitari, përfaqësuesi i Manastirit të Graçanicës. Gjyqtari pyeti të akuzuarin dhe avokatin mbrojtës të tij për emrin e përfaqësuesit të Manastirit, por të njëjti nuk kishin të dhëna për të.

Në këto rrethana, gjyqtari Kongjeli theksoi se për seancën e radhës të caktuar më 4 maj 2022, do të kërkohet nga ana e komunës së Graçanicës emri i përfaqësuesit të Manastirit dhe pastaj do të ftohet me ftesë të rregullt.

Kujtojmë se kjo çështje penale është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ngase kishte konstatuar se nuk është respektuar neni 76 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), i cili ka të bëjë me dënimi për bashkim të veprave penale, ngase nuk janë shqiptuar dënimet për secilën vepër veç e veç mirëpo është shqiptuar vetëm dënimi kumulativ për të dyja veprat për të cilat i pandehuri akuzohet.

Në shqyrtimi paraprak M.G., kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Speciale, e cila ishte aprovuar nga gjykata duke iu shqiptuar të njëjtit dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj, i cili me pëlqimin e të akuzuarit mund të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 3600 euro, si dhe është dënuar edhe me 1500 euro gjobë si dënim i veçantë duke iu konfiskuan kështu në mënyrë të përhershme edhe mjetet monetare në vlerë prej 65,450.00 euro.

Ndërsa pas kthimit në rigjykim i akuzuari nuk kishte pranuar fajësinë për veprat penale që i vihen në barrët. Kurse gjatë fazës së kontrollimit të aktakuzës, sipas gjyqtarit Kongjeli, Apeli me aktvendimin e tij ka kërkuar që procedura penale të zhvillohet vetëm për shpërlarje të parave dhe jo edhe për veprën penale të tregtisë së ndaluar.

Ndryshe, sipas aktakuzës fillestare, M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale, “Tregti e ndaluar”, pasi që është hasur duke ushtruar veprimtari ekonomike pa autorizim dhe pa leje përkatëse, në atë mënyrë që në veturën e tij janë gjetur mjete monetare të fshehura në valutën euro, të padeklaruara gjithsej gjashtëdhjetë e pesëmijë e katërqind e pesëdhjetë euro (65,450.00€).

Po ashtu, i pandehuri M.G. më 14.08.2020, ka kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”, pasi që duke e ditur apo duke pas arsye të dijë se ishte duke bartur këto mjete monetare, të fshehura në automjetin e tij, ka tentuar që të fshehë ose maskon natyrën e vërtetë, burimin, vend-ndodhjen, sistemimin, lëvizjen, të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore.

Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët Dëgjohet eksperti financiar në gjykimin për shpërlarjen e parave në vlerë mbi 65 mijë euro – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Rinon Arifi

PS.nr.44/20