Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka filluar seanca e rigjykimit në rastin ndaj të akuzuarve për prodhimin e ndaluar të alkoolit, raporton Drejtësia Sot. Pasi që serish i akuzuari Nexhat Ibrahimi nuk ishte prezent, dhe ishte konstatuar se i njëjti jeton në Serbi, gjykata ka veçuar procedurën ndaj të njëjtit.
Më pas është proceduar me deklarimin e palëve lidhur me fajësinë e tyre, por që të gjithë të akuzuarit janë deklaruar se nuk ndihen fajtorë për veprat penale që i ‘u vihen në barrë. Ndërsa të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve si dhe Prokurori Special kanë deklaruar se qëndrojnë pranë fjalëve të tyre hyrëse, dhe vetëm disa detaje të vogla për sqarim i kanë shtuar.
Kurse sa i përketë dëgjimit të dëshmitareve Prokurori Special, Atdhe Dema ka propozuar që të lexohen deklaratat e tyre dhe të bëhen pjesë e procesverbalit, propozim ky që nuk u kundërshtua nga mbrojtja dhe në fund u aprovua nga trupi gjykues.
Më tej, mbrojtësi i të akuzuarit Bahtir Emini, ka deklaruar se në seancën e radhës, për plotësimin e provave materiale, do të dorëzojnë, disa shkresa të cilat do të shërbejnë për vërtetimin e gjendjes faktike.
Kurse në fund kryetarja e trupit gjykues Shadije Gerguri, ka theksuar se përfaqësuesit e palës së dëmtuar, të Doganës së Kosovës dhe ATK-së, kanë paraqitur kërkesat e tyre për kërkesën pasurore juridike, duke veçuar për secilin të akuzuar veç e veç shumën që duhet të kompensojnë.
Por lidhur me këto parashtresa mbrojtja një zëri ka pasur kundërshtime e tyre, si dhe kanë kërkuar që të ftohen nga gjykata të njëjtin në cilësinë e dëshmitareve në mënyrë që mbrojtja të ketë mundësinë që ndaj të njëjtëve që parashtrojnë pyetje dhe sqarime se si kanë arritur deri tek ato shuma.
E në këto rrethana, është ndërprerë shqyrtimi gjyqësor për të vazhduar pastaj me datë 12 maj 2022 me fillim nga ora 09:30. Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të vitit 2019 i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit, duke ju shqiptuar dënim me burgim prej 2 vitesh me kusht që brenda 5 viteve të mos kryerjen ndonjë vepër tjetër, si dhe dënim më gjobë për secilin veç e veç.
Por Gjykata e Apelit të Kosovës, 10 mars 2022 kishte kthyer në rigjykim këtë çështje. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 korrik 2004, nga prokurori i ish-Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë Osman Mehmeti, e ndryshuar më 10 nëntor 2017, nga prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Armend Hamiti, i cili ka bërë shkrirjen e dispozitivit në një akt të vetëm, akuzohen Bahtir Emini, Zenel Emini, Shaqir Abdullahu, Bylbyl Sokoli dhe Arsim Ejupi.
Prokuroria, pretendon se të akuzuarit gjatë periudhës kohore 1999-2004, në bashkëveprim kanë punuar në prodhimin e pijeve alkoolike dhe për këtë të njëjtit tash po gjykohen sipas aktakuzës, e cila përmban veprat penale “prodhimi i ndaluar”, “tregti e ndaluar”, “mashtrimi i blerësve”, “shmangia nga tatimi”, “mashtrim”, “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “prodhimi dhe shfrytëzimi i tiketave, masave dhe peshave të rreme” dhe “përdorimi i pa autorizuar i firmës, i markës apo i modelit të huaj”. Më tutje, thuhet se të njëjtit kishin bashkëpunuar me Herman Berin dhe Ilira Berin, shtetas të Republikës së Shqipërisë, përmes firmës “Mega”, po ashtu përmes firmës “Jupiteri”, ku pronar ishte Zenel Emini, njëri nga të akuzuarit.
Ata thuhet se në bashkëpunim me Arsim Ejupin, Shaqir Abdullahun, i cili ishte pronar i “Joni 2” dhe Bylbyl Sokoli, pronar i “Caki Comerece”, kishin prodhuar pije alkoolike të tipit “Skenderbeg”, “Vodka Pashtrik”, verë të bardhë, të kuqe, e tjerë dhe se në mënyrë ilegale kishin transportuar lëndë kimike për përpunim të pijeve alkoolike, e këto mjete, siç thuhet në aktakuzë, ishin drejtuar nga ana e Nexhat Ibrahimit dhe Nahip Sylejmanit.
Sipas aktakuzës, Bahtir Emini, Zenel Emini, Nexhat Ibrahimi, Shaqir Abdullahu dhe Bylbyl Sokoli, pretendohet se kanë kryer veprën penale “prodhim i ndaluar”, nga neni 247, paragrafi 1 i Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.
Monitoruar nga Elvira Rrahmani
Lajmet në fokus