Xh.H., R.M., zyrtarë të gjendjes civile në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht Prishtinë dhe M.N.,
do të përballen me dëshmitarët dhe provat materiale për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve
zyrtare”, “ Ushtrim ndikimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, raporton Drejtësia Sot.
Kështu vendosi gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda, Shpresa Hasaj – Hyseni, e cila
pasi që dëgjoi pretendimet e palëve në seancën e sotme të shqyrtimit të dytë, refuzoi kërkesat e
mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Ndryshe, paraprakisht në këtë seancë avokatët mbrojtës të të akuzuarve R.M dhe M.N, qëndruan
pranë kërkesave për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, duke elaboruar ato në
pika të shkurtra.
I akuzuari Xh.H i cili nuk ka avokat mbrojtës, gjithashtu qëndroi prapa kërkesës për hedhje të
aktakuzës së paraqitur pranë gjykatës, duke theksuar se ky rast nuk ka të bëjë asgjë me të sepse
nuk kishte përgjegjësi për të ndërmarrë veprimet e përshkruara në aktin akuzues.
Kurse prokurori Zeqaj kishte mendim të kundërt, pasi që në fjalën e tij tha se aktakuza ka prova
të shumta të cilat janë nxjerrë në përputhje me dispozitat ligjore dhe se pretendimet e mbrojtjes
nuk janë të bazuara dhe të argumentuara.
Duke qenë se mbrojtja hoqi dorë nga ankesa për vendimin që e morri gjyqtarja Hasaj – Hyseni,
shqyrtimi gjyqësor kryesor u caktua më datë 30 maj 2022, me fillim nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së datës 30.11.2021, i pandehuri Xh.H, akuzohet se si person zyrtar – zyrtar i
gjendjes civile, në mënyrë kundërligjore ka regjistruar personin me inicialet I.Gj në librin amzë
të lindjes.
Sipas aktit akuzues, Haxhiu ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve zyrtare” nga neni
427 par.1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për të njëjtën vepër penale, në dy dispozitiva të ndarë po akuzohet edhe i pandehurit tjetër, R.M.
Ai dyshohet si si zyrtar në zyrën e gjendjes civile në lagjen Dardania në Prishtinë, ka shënuar të
dhëna të rreme, duke e regjistruar dhe ia ndryshuar të dhënat në mënyrë të kundërligjshme
personin me inicialet A.Gj në regjistrin qendror të gjendjes civile.
Ndërsa i pandehuri M.N., akuzohet për veprën penale “Ushtrim ndikimi”, pasi që sipas aktakuzës
ka marrë të holla në shumë prej 3 mijë euro nga personi me inicialet I.Gj, në mënyrë që të
ndikojë tek i pandehuri R.M. për t’i mundësuar pajisjen me dokumentacion të Republikës së
Kosovës përmes regjistrimit në regjistrat publik në mënyrë të kundërligjshme.
M.N. akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit, pasi që dyshohet se ka marrë pjesë në
përpilimin e dokumentit, përkatësisht një kartoni të vjetër të ish-Jugosllavisë, i cili sipas aktit
akuzues është i falsifikuar pasi që nuk ekziston në arkivin e vjetër të QPD Prishtinë.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast edhe më herët
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus