Publikohen rezultatet preliminare të kandidatëve për prokurorë të shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Monitoruar nga Liridon Salihi

15:28 / 07 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Komisioni për Rekrutim i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka publikuar listën preliminare të rezultateve nga konkursi për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore, raporton Drejtësia Sot.

Sipas njoftimit të KPK-së, kësaj liste i prinë kandidatja Dena Arapi-Vardari me 85.4 pikë, e pasuar nga Shqiponjë Jupa me 85.2 pikë, Qazim Kuqi e Lulzim Aliu me nga 84.4 pikë, Taulant Atashi me 78.8 pikë, Sadat Topalli me 77.8 pikë, Qazim Xharra me 72.4 pikë dhe Nebih Hajdari me 58.8 pikë.

Në pajtim me nenin 24, par.2, të Rregullores nr. 07/2015, konsiderohet se provimin e kalojnë kandidatët të cilët kanë arritur rezultate të larta, me kusht që të kenë arritur së paku 60 pikë në provimin me shkrim, intervistën me gojë dhe në vlerësimin e integritetit personal dhe aftësive profesionale.

Kandidatët mund të parashtrojnë ankesë tek Komisioni për Rishqyrtim, brenda afatit prej tre ditësh nga dita e publikimit të rezultateve.

Kujtojmë që faza e intervistimit të këtyre tetë kandidatëve ishte mbajtur me 2 dhe 3 mars 2022, dhe e njëjta ishte udhëhequr nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe anëtarët Xhevdet Bislimi, Lulzim Sulejmani, Kujtim Munishi dhe Arijana Shajkovci.

“Drejtësia Sot” njofton se përmes testit kualifikues dhe testit me shkrim, në këtë fazë kishin arritur kandidatët Dena Arapi-Vardari, Lulzim Aliu, Qazim Kuqi, Sadat Topalli, Shqiponje Jupa dhe Taulant Atashi, ndërsa kandidatët që e kanë përfunduar trajnimin në ish-Institutin Gjyqësor të Kosovës ishin Nebih Hajdari dhe Qazim Xharra.

Pas shqyrtimit të ankesave eventuale, Komisioni do të rekomandojë për votim në KPK listën e kandidatëve të suksesshëm e më pas kandidatët e votuar do të propozohen tek Presidenti për dekretim.

Kujtojmë që konkursi për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive themelore të Republikës së Kosovës fillimisht ishte shpallur më 22 maj 2020, për tetë pozita, me ç’rast KPK kishte publikuar listën fillestare të kandidatëve të cilët i kishin plotësuar kriteret.

Më pas, kësaj liste i ishin shtuar edhe tetë kandidatë të tjerë, të cilët e kishin dëshmuar se aplikimin e kishin kryer online.

Me këtë rast, numri i kandidatëve nga 202 sa ishin në fillim, tani përbëhej nga 210 të tillë, të cilët kishin aplikuar për një nga pozitat për prokurorë të shtetit në kuadër të pesë prokurorive themelore në nivel vendi.

Për shkak të pandemisë Covid-19, nuk ishte arritur të mbahet asnjë fazë e këtij konkursi si dhe me qëllim që të plotësohen edhe disa pozita më shumë me prokurorë të shtetit, KPK, më datë 27 prill 2021, kishte ri-shpallur këtë konkurs, me ç’rast, nga tetë pozita të lira sa ishin në fillim, ishte vendosur që të shpallen gjithsej 16 vende të lira për Prokurorë të Shtetit në Departamentin e Përgjithshëm në kuadër të gjashtë prokurorive themelore.

Rritja e numrit të pozitave të lira ishte arsyetuar nga ana e Kryesuesit Jetish Maloku edhe për faktin se gjatë vitit paraprak kishin vdekur 5 prokurorë të shtetit ndërsa gjatë vitit 2021, do të pensionohen 6 prokurorë të tjerë.

Konkursi i ri-shpallur përfshin nga katër pozita në Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në Gjakovë, tre pozita në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, nga dy pozita në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe në Gjilan, dhe një pozitë në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Me qëllim të kompletimit të procedurave, KPK në takimin nr, 198, i mbajtur më 27 prill 2021, kishte themeluar Komisionin për Rekrutim dhe Komisionin për Rishqyrtim, si dhe kishte caktuar administratore të provimit, znj. Ismije Maxhuni.

Sa i përket konkursit, fillimisht, më datë 21 nëntor 2021, është mbajtur testi kualifikues për 16 pozita për prokurorë të shtetit, ku nga 362 kandidatë që kishin aplikuar, këtij testimi i janë nënshtruar vetëm 277, pasi që 85 prej tyre nuk ishin paraqitur fare në ditën kur është organizuar kjo fazë e rekrutimit.

Lista përfundimtare e kandidatëve që e kishin kaluar testin kualifikues përbëhej nga 185 kandidatë, me ç’rast të njëjtit e kishin fituar të drejtën për t’iu nënshtruar testit me shkrim, mirëpo, më 19 dhjetor 2021, ditën kur është mbajtur ky testim kanë prezantuar vetëm 180 prej tyre.

Në fazën e testimit me shkrim, nga 180 kandidatë vetëm 6 prej tyre kishin arritur ta kalonin me sukses.

Në bazë të legjislacionit në fuqi, kandidatët për emërim për Prokurorë të Shtetit, duhet t’i plotësojnë këto kushte: të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të ketë diplomën e fakultetit juridik të vlefshëm në Kosovë; të ketë kryer provimin e jurisprudencës, të pranuar sipas Ligjit të aplikueshëm në Kosovë; të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet personal; të mos jetë i/e dënuar për një vepër penale; të ketë së paku tri (3) vite përvojë në fushën juridike, dhe të ketë kaluar provimin për prokurorë, në pajtim me kushtet dhe procedurat e përcaktuara me rregullore të veçantë të miratuar nga Këshilli.

Po ashtu, përvoja në fushën juridike përfshin edhe përvojën në çështje juridike në institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare, përvojën si noter dhe përmbarues privat.

Ky proces është monitoruar dhe raportuar në vazhdimësi nga “Drejtësia Sot”, link: https://www.rolpik.org/intervistohen-tete-kandidatet-per-prokurore-te-shtetit-ne-kuader-te-prokurorive-themelore/

Monitorues Liridon Salihi