Prokuroria Speciale ndryshon dhe plotëson aktakuzën në rastin e “Subvencioneve I”

Prokuroria

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

12:07 / 09 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 22 shkurt 2022 kishte ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzetenjë (21) të pandehurve në rastin e njohur si “Subvencionet I” për veprat penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 KPRK-së,  ‘’Marrja e ryshfetit’’ nga neni 421 KPRK-së, ‘’Mashtrim në detyrë’’ nga neni 419 të KPRK-së, ‘’Dhënia e ryshfetit’’ nga neni  422 i KPRK-së, ‘’Mashtrim me subvencione’’ nga neni 324 të  KPRK-së dhe ‘’Falsifikim i dokumenteve’’ nga neni 390 të KPRK-së, raporton Drejtësia Sot.

Por më pas me datë 03 mars 2022, Prokuroria Speciale e RKS-së, ka paraqitur aktakuzë të plotësuar, kundër të pandehurit D.M., pasi që në akuzën bazë nuk e kishte përshirë fare dispozitivin sa i përket veprimeve të të pandehurit D.M.

Sipas kësaj aktakuze të plotësuar D.M., akuzohet se kishte bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, e kështu duke paraqitur kontrata të falsifikuara, e në bazë të këtyre të dhënave të pasakta ka arritur të përfitoj subvencione, dhe të tërheq parat në shumën prej 15.039.00 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit të RKS-së, në këtë vlerë.

Kujtojmë se seanca fillestare ishte caktuar të mbahet sot, me datë 09 mars 2022, por e njëjta ishte anuluar nga gjyqtari Kujtim Krasniqi, për faktin se të njëjtën akuzë do e kthejë në prokurori për plotësimin dhe ndryshimin e së njëjtës, për arsye të disa paqartësive.

Tutje, sipas pikës 1 të kësaj aktakuze thuhet se të pandehurit L.S., S.Sh., B.N., A.B dhe S.K kanë kryer veprën marrja e ryshfetit nga data 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe në Pejë në cilësinë e personave zyrtare të Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë dhe zyrtarë të komunës së Pejës në bashkëkryerje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar duke kërkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ryshfet fillimisht nga personi B.Sh në shumë prej 126 mijë eurove ku fillimisht i kishin pranuar vetëm 92 mijë e 500 sosh. Sipas kësaj pike të akuzës, personi B.Sh së bashku me gruan e tij A.S kishin aplikuar për subvencion për kulturë nga gruri dhe miser në sipërfaqe prej 86 hektarëve dhe për kulturë bimë mjekësore aromatike rreth 96.54 ha në komunën e Pejës.

Gjithnjë sipas aktakuzës thuhet se më pastaj B.Sh ishte takuar me të pandehurin A.B dhe S.K në zyret e komunës së Pejës ku pajtohen që ta ndryshojnë aplikimin për subvencione. Po ashtu aktakuza thotë se edhe  i pandehuri B.N dhe S.Sh takohen me personin B.Sh ku i vizitojnë pronat e tij ku i kërkojnë që të ndryshojnë aplikimin për subvencion nga kulturë për grurë dhe misër në bimë organike aromatike me pajtimin që 70 %  e subvencionit do ti marrin ryshfet këta të pandehur ndërsa 30 %  aplikuesi B.Sh, dhe i premtojnë se do ta fitojë një grantë për shtallë kafshe në vlerë prej 100 mijë eurove.

Pas këtyre veprimeve, aktakuza sqaron se të pandehurit A.B së bashku me S.K shkojnë në Agjencinë për Zhvillim të Bujqësisë me qëllim që ta ndryshojnë kulturën. Sipas aktakuzës i pandehurit L.S ka dërguar të dhëna të rrejshme tek vëllau i tij S.S  ku janë nxjerrur certifikata nga kompania BiO. Q. Chek në emër të B.Sh. dhe A.S në mënyrë të kundërligjshme pa pasur të mbjellura nga kultura e bimeve organike. Ndër të tjera aktakuza thotë se të pandehurit L.S dhe S.Sh pas këtyre veprimeve bisedojnë mes vete duke llogaritur se sa para mund të përfitojnë ryshfet nga B.Sh dhe A.S. Aktakuza më tej përmend datat 11 dhe 12 shkurtë 2021 ku këta persona diskutojnë në zyre se si B.Sh dhe A.S iu kanë dalur të hollat në bankë.

Kurse në pikën 2 të saj, aktakuza ngarkon të pandehurit S.S. dhe L.S., për marrje ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale sepse nga datat 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021 i kanë kërkuar ryshfet në shumë prej 90 mijë eurove personit K.B., lidhur aplikimin e këtij të fundit për subvencionim me kulture bimore aromatike e për të cilin të pandehurit S.S dhe LS e kishin udhëzuar që ta ndërroj aplikimin me qëllimin që tja ndryshojnë certifikatën e aplikimit në AZHB dhe që kjo lëndë të përfshihet në listën e pagesave në mënyrë të kundërligjshme, ani pse i njëjti nuk kishte të mbjellur asnjë lloj bime aromatike. Sipas prokurorisë për këto veprime të pandehurit në fjalë përfitimin nga ky subvencion do ta ndanin në atë mënyrë që 50 % të fondit do ti takonin të pandehurit S.S me zyrtarët e AZHB kurse 50 % aplikuesit K.B.

Tutje në pikën 3 aktakuza ngarkon po ashtu të pandehurit L.S dhe S.S., për veprën marrje ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale për arsyet e shpjeguara si në rastin paraprak por tani i dëmtuar është personi F.M nga i cili i kërkojnë ryshfet për ndërrimin e kulturës së subvencionit dhe se fondet e përfituara do të ndahen nga 50 % për këta të akuzuar dhe 50 % për të dëmtuarin F.M. Sipas akuzës, F.M për këto veprime ia ka dorëzuar shumën prej 27 mijë eurove të pandehurit  S.S në restorantin Gresa në Prishtinë, pastaj më datë 17 shkurt 2020 bashkë me personin K.B shkojnë në Skenderaj ku ia dorëzojnë të pandehurit S.S shumën tjetër të të hollave në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove, ndërsa për vete ndalin shumën prej 51 mijë eurove. Sipas prokurorisë me këto veprime është dëmtuar buxheti i shtetit në shumë prej 109 mijë e 520 eurove.

Pika 4 e aktakuzës i ngarkon përsëri të akuzuarit L.S dhe S.S se kanë përfituar ryshfet në mënyrë të kundërligjshme nga personi F.Z dhe atë shumën prej 25 mijë e 490 eurove me qëllim që këtij personi të ia rregullojnë dokumentacionin për përfitimin e subvencionit për bujqësi organike. Në pikën 5 aktakuza sqaron se i pandehuri H.M., si zyrtar i komunës së Pejës- përkatësisht drejtorisë për bujqësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete në mënyrë të kundërligjshme ka përdorur të dhënat e motrës së tij K.M aplikon në komunë të Pejës për subvencionim për kulturën e Shalqinjëve, pemëve, dhredhëzave etj…duke përdorur kontrata të falsifikuara kinse ka marrur prona me qira dhe nënshkruar në emër të motrës së tij si qiramarrëse dhe personave M.P.M.XH.,V.L etj…. si qiradhënës. Aktakuza thotë se i njëjti është qasur në kompjuterin e zyrtarit G.L ku ka vendosur në sistem lëndën në emër të motrës së tij K,M kinse zyrtari G.L e ka pranuar lëndën në fjalë. Gjithnjë sipas aktakuzës më pastaj ky person me këto veprime ka bërë që AZHBK të kryej pagesat në emër të K.M në shumë prej  20 mijë eurove ku me të dalur ato para personi K.M ato mjeti ia dërgon të pandehurit H.M nëpërmjet djalit të saj V.M. Po ashtu H.M., për këto veprime akuzohet edhe për veprën mashtrim me subvencione sipas pikës 20 të aktakuzës.

Pika 6 e aktakuzës  i ngarkon të pandehurit L.S.,A.A dhe S.S për veprat penale keqpërdorime detyre respektivisht falsifikim i dokumenteve zyrtare pasiqë të nëjtit kanë përfituar për vete dhe persona në mënyrë të kundërligjshme duke lëshuar certifikata dhe falsifikuar dokumente lidhur me aplikimin për subvencioneve nga personat F.Z., K,B.F.M., B.SH., A.S., e K.M në atë mënyrë fillimisht i pandehuri L.S., si drejtori i pagesave direkte në AZHB qaset në lëndët e aplikuesve në fjalë dhe tërë lëndët i fotografon dhe i dërgon tek vëllau i tij S.S në rrjetin Ëhats app ku qarkullojnë këto të dhëna tek personi A.B i cili lëshonte pastaj certifikata për bujqësi organike bimë mjeksore aromatike në mënyrë të kundërligjshme pa dalë për kontroll në terren, pa e konstatuar gjendjen faktike dhe pa asnjë kriter të kultivimit për bujqësi organike bimore-aromatike iu ka lëshuar pastaj fermëreve në fjalë të cilat më pastaj këta persona i kanë dorëzuar në AZHB ku mëpastaj në bazë të tyre kanë përfituar subvencione në mënyrë të kundërligjshme, kurse me këto veprime të pandehurit i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në shumë prej 590 mijë eurove.

Sipas pikës 7 të aktakuzës i pandehuri J.S në cilësinë e zyrtarit për aplikim për subvencione në komunën e Pejës më datë 28 gusht 2020 ka keqpërdorur detyrën zyrtare sepse ka përfituar kundërligjshëm kur më datën e cekur ka pranuar një aplikacion për subvencion ka personi D.M., i cili aplikon për subvencion duke përdorur në mënyrë të kundërligjshme pronën e komunës së Istogut rreth 26 ha., në fshatin Veriq si dhe Tuqep dhe paraqet kontrata të falsifikuara të datës 20.08.2020  kinse ka marrë me qira nga B.Sh rreth 50 ha tokë. Akuza thotë se mëpastaj i pandehuri J.Z., duke përdorur userin dhe fjalëkalimin e tij vendos këtë aplikacion në sistemin Slips edhe ka pasur mospërputhje në mes të digjitalizimit të parcelave i cili është bërë në lokacion tjetër dhe fletat poseduese të tokës të marrë kinse me qira në një lokacion tjetër. Kështu me këto veprime sipas prokurorisë i pandehuri i ka mundësuar personit D.M përfitim në subvencion në mënyrë të kundërligjshme dhe ka dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në shumë prej 15 mijë e 39 eurove.

Kurse në pikën 8 të akuzës, akuzohet personi K.Z për shkak të veprës marrje ryshfeti sepse duke vepruar në cilësinë e zyrtarit të lartë për politika bujqësore ka marrë ryshfet nga personi D.M dhe atë shumën prej 15 mijë eurove duke i mundësuar dhe udhëzuar këtë person për mënyrën e aplikimit për subvencionimin e cekur sipas pikës 7 të kësaj aktakuze.

Në anën tjetër lidhur me këtë aplikim të personit D.M në pikën 9 të akuzës, akuzohen për marrje rryshfeti edhe personat S.Sh dhe L.S të  cilët duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë në objektin e AZHB-së kanë pranuar ryshfet nga personi D.M përmes të pandehurit K.Z. Ku së pari zyrtari S.Sh me rastin e kontrollit administrativ të lëndës vëren se dosja e D.M ka mangësi dhe e njofton personin D.M për parregullsitë e lëndës  e ky i fundit më pastaj e njofton  K.Z për këtë cështje i cili shumën e marrur prej 15 mijë eurove, 11 mijë sosh i mban për vete kurse 3500 ia dhuron zyrtarit S.Sh me qëllim që lënda të futet në listën e pagesave.

Me pikën 10 të aktakuzës akuzohen personat M.N dhe L.H për shkak të veprës mashtrimi në detyrë sepse që të dy si persona zyrtar inspektor teknik në komunën e Istogut gjatë kryerjes së detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete dhe persona tjerë hartojnë raport të rremë në atë mënyrë që gjatë kontrollit në në terren tek fermi D.M., në raport konstatojnë se i njëjti ka të mjellur kultur grurë 10 ha dhe misër 41.47 ha dhe kinse çdo gjë është në rregull dhe pse ka pasur mospërputhje në mes të digjitalizimit të parcelave dhe fletës poseduese të tokës së marrë me qira.

Po ashtu në pikën 11 akuzohet e pandehura H.D., për veprën keqpërdorim detyre sepse duke vepruar si zyrtare për pagesa direkte në AZHB ka aprovuar për pagesë subvencioni një lëndë e cila sipas raportit të komisionit nuk i kishte plotësuar kriteret për subvencionim. Akuza sqaron se bëhej fjalë për aplikimin e fermerit F.Z., i cili me dosjen e tij kishte deklaruar që kishte mbjellur disa kulturën bimë organike-aromatike por që pas kontrollit komisioni vlerësues kishte bërë raport që në atë zonë nuk kishte fare kulturë të mbjellur. Sipas akuzës ishte hartuar mëpastaj vendimi ku fermeri F.Z., e kishte përfituar subvencionin vlera e të cilit ishte mbi 27 mijë eurove vlerë kjo që ishte edhe në dëm të buxhetit të shtetit.

Kurse sipas pikës 12 të aktakuzës thuhet se  më datë 15.02.2021, në objektin Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, në cilësinë e personit zyrtar, L.S si Drejtor i Pagesa Direkte dhe S.Sh si zyrtar për pagesa direkte, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare me qellim të përfitimit për vete, kërkojnë dhe pranojnë nga i pandehuri D.K ryshfet në vlerë 2000 euro. Pasi që i pandehuri D.K aplikon në Komunën e Istogut për përfitimin të subvencioneve në emër të V.K. E tani pasi që L.S dhe S.Sh i thojnë të njëjtit se nuk i ka në rregull dokumentacionin, takohen dhe arrin marrëveshje se pasi që ti transferohen parat, të njëjtëve t’iu jap ryshfet në vlerë 2000 euro.

Gjthashtu pika 13 e aktakuzës thekson se sa i përket të pandehurit S,Sh, me datë 02.12.20, në Parkingun e Qendrës Tregtare “Royall Mall”, në rrugën B, në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare kërkon dhe pranon ryshfet nga A.K, në vlerën 3000 euro. E kështu shkon në zyrat e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për t’u interesuar dhe takon të pandehurin S.Sh, ku i njëjti i thotë se “keni parregullsi në dokumentacione”, dhe derisa dalin në korridor e objektit e i kërkon ryshfet në vlerë 5000 euro, me qëllim që të përfshihet në listën e pagesave për subvencione, e në fund pajtohen për vlerën e ryshfetit 3000 euro.

Gjithashtu në pikën 14 dhe 15 të aktakuzës thuhet që të pandehurit A.B dhe S.K në cilësinë e personave zyrtarë gjatë periudhës korrik 2020 dhe shkurtë 2021, me qëllim të përfitimit pasuror për vete dhe personat tjerë kanë përpiluar dokumente të falsifikuar dhe kanë dorëzuar në Agjensinë për Zhvimin e Bujqësisë në emët të B.Sh dhe A.S., në atë mënyrë që sipas marrëveshjes paraprake që kishin pasur të pandehurit e përmendur ndryshojnë kulturat bujqësore nga gruri dhe misri në kultura bujqësore organike duke lëshuar qertifikata të bimëve organike dhe në bazë të këtyre ndryshimeve B.Sh ka përfituar subvencion në vlerë prej 83,860.00 euro si dhe A.S në vlerë prej 96, 540,00 euro, dhe pas tërheqjes së këtyre mjeteve nga banka, përfituesit i’u japin të akuzuarve ryshfet në vlerë prej 92,500,00 euro, më këto veprime të njëjti në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 180,000,00 euro.

I pandehurit B.Sh gjatë periudhës korrik 2020 dhe shkurtë 2021, ka bërë mashtrim me subvencione duke paraqitur të dhëna të pasakta në Agjensinë e për Zhvillimin e Bujqësisë, ashtu që i njëjti paraqetë kërkesën për kulturën grurë dhe misër dhe pas një kohët të pandehurit A.B dhe S.K ja ndryshojnë kulturën bujqësore në bimë organike, kështu që i njëjti ka kryer veprën penale mashtrim me subvencione, ashtu që i njëjti i ka shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 180,000,00 euro.

Në anën tjetër në pikën 16 të aktakuzës po akuzohet personi B.Sh për veprën mashtrim me subvencione sepse nga periudha prej 1 korrik 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe Pejë ka ofuar të dhëna të pasakta në AZHB duke paraqitur kërkesa në emër të vetin dhe gruas së tij për subvencion për kulturë bujqësore grurë e misër ndërsa në emër të bashkëshortës për bimë organike mjekësore-aromatike por pas një kohë me marrëveshje me personat A.B dhe S.K e ndryshon aplikimin e tij për grurë dhe misër në bimë mjekësore organike dhe pajiset me certifikatë ku më pas AZHB ekzekuton pagesat e subvencioneve për të dhe bashhkëshortën e tij në shumë prej 180 mijë eurove. Po ashtu në pikën 17, 18, 19 e 20 po akuzohen për mashtrim me subvencione edhe të pandehurit tjerë si K.B, F.M., F.Z., dhe H.M po ashtu të njëjtit për faktin se kishin ofruar të dhëna të pasakta dhe kishin ndryshuar aplikimet për subvencione në marrëveshje me të akuzuarit respektivisht me zyrtarët e komunës së Pejës dhe të AZHB-së.

Në fund theksohet se Prokuroria Speciale ka propozuar që të konfiskohet dobia pasurore nga të pandehurit e fituar me kryerjen e veprave penale, e cila kap vlerën e të hollave rreth pesëqind mijë (500.000.00) euro, si dhe të disa veturave.

Drejtësia Sot monitoron në vazhdimësi këtë rast (https://www.rolpik.org/caktohet-per-9-mars-2022-gjykimi-ne-rastin-subvencioni-i/)

Monitoruar nga Elvira Rrahmani