Këtë të mërkurë pranë Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda ka dhënë mbrojtjen ish-drejtori i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, Bernard Frrokaj, i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, raporton “Drejtësia Sot”.
Frrokaj, nga ana e Prokurorisë së Gjakovës, po ngarkohet se ka bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.
Para trupit gjykues të udhëhequr nga gjyqtari Shaqir Zika, i akuzuari Bernard Frrokaj deklaroi se e dëmtuara Valbona Kuqi as nuk është dëmtuar në të ardhura e as në orar të punës. I njëjti i dorëzoi gjykatës dhe prokurorisë listën e pagës të cilën e kishte marrë e dëmtuara Kuqi gjatë periudhës ku i akuzuari Frrokaj ka qenë drejtor.
Ai po ashtu, deklaroi se vendimet për transferim në shkollat përkatëse i merr DKA-ja, në Gjakovë. Tutje, Frrokaj theksoi se nuk ka ndonjë rregullore që përcakton vendimin për transferim por është udhëzimi administrativ 10/18.
Teksa, në pyetjen e prokurores Ardita Beqiraj-Hyseni, se a e kishte marrë dhe nënshkruar vendimin për transferim të Varieta Syles në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, Frrokaj deklaroi se e ka nënshkruar këtë vendim të përpiluar nga zyrtarët e DKA-së.
Së këndejmi, Frrokaj ceki se kur ka marrë vendim për transferim në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, ndaj të dëmtuarës Valbona Kuqi ka qenë në kohë të caktuar pasi që e ka zëvendësuar një mësimdhënëse e cila ka qenë në prag të lindjes në atë kohë.
Pas deklarimit të akuzuarit Frrokaj, gjykimi vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare nga ana e prokurores së rastit Ardita Beqiraj-Hyseni.
Ajo, në fjalën e saj përfundimtare deklaroi se i akuzuari Frrokaj duke qenë në cilësinë e personit zyrtar përkatësisht drejtor i drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, i ka kaluar kompetencat e tij zyrtare në mënyrë që të përfitoj kundërligjshëm ish kunata e udhëheqësit të sektorit të Arsimit, zonja Varieta Syla.
Sipas prokurores Beqiraj-Hyseni, e dëmtuara Valbona Kuqi kishte paraqitur dy kërkesa DKA-së, duke i respektuar afatet për kërkesat e parashtruara në mënyrë që të sistemohet në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, në të cilën shkollë e njëjta ka qenë duke zëvendësuar. Mirëpo, sipas prokurores këto kërkesa për të njëjtën nuk ishin shqyrtuar, teksa për zonjën Syla i ishte nënshkruar vendimi po në atë ditë në të cilën e njëjta kishte parashtruar kërkesën për sistemimin në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë.
Në fund të fjalës përfundimtare prokurorja Beqiraj-Hyseni, i propozoi gjykatës që të akuzuarin Frrokaj, ta shpall fajtor duke e dënuar në bazë të ligjit, si dhe ti shqiptohet dënimi plotësues atë të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike.
Përderisa, mbrojtësi i të akuzuarit Frrokaj, avokat Ndrec Dodaj, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se përgjatë këtyre shqyrtimeve gjyqësore të mbajtura për këtë rast asnjëherë nuk është vërtetuar se cila dispozitë ligjore është shkelur nga ana e të mbrojturit të tij si dhe çfarë dëmi i është shkaktuar të dëmtuarës Valbona Kuqi. Andaj, i njëjti i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij, gjykata të shpall aktgjykim lirues në mungesë të provave. Kurse, i akuzuari Frrokaj deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, dhe se nuk ka tjetër se çfarë të shtoj.
Në fund të gjykimit, trupi gjykues i kryesuar nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Shaqir Zika, dhe dy anëtaret e tjera, gjyqtare Besarta Doli dhe Manduhije Syla, njoftuan se shpallja e aktgjykimit për këtë rast pritet të bëhet me datën 28 mars 2022.
Ndryshe, në aktakuzën e ngritur më 21 korrik 2021, sqarohet se si i akuzuari Frrokaj, në kohë të pacaktuar duke vepruar si person zyrtar konkretisht në cilësinë e drejtorit të drejtorisë së Arsimit në komunën e Gjakovës, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme.
Kështu, në vazhdim të kësaj aktakuze theksohet se i akuzuari Bernard Frrokaj, i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës Valbona Kuqi, në atë mënyrë që i njëjti ka marrë vendim për transferim të përhershëm të mësimdhënëses Varjeta Syla, në shkollën “Zekria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit pa i përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.
Aktakuza më tutje sqaron se ky vendim i marrë nga ana e të akuzuarit rreth një vit para pensionimit të ish mësimdhënëses me incialet M.X., me të cilin vendim ka shkelur të drejtat e parapara nga kontrata kolektive e arsimit në Kosovë, për të dëmtuarën Valbona Kuqi, e cila kishte ligjëruar si mësimdhënëse zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e cekur më lartë, e sistemon në vendin e punës të Varjeta Syla, në fshatin Hereq të komunës së Gjakovës. Për këtë ai po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 parag.1 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast:
Monitoruese: Jeta Vula
Lajmet në fokus