Në Departamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku Ukë Rugova, Astrit Haraçia dhe të tjerë akuzohen për krim të organizuar me viza italiane, sot është dëgjuar një dëshmitar, raporton Drejtësia Sot.
Në rastin e njohur si ‘Vizat’, Ukë Rugova, Izet Beqiri, Florian Petani, Qefser Baholli dhe Astrit Haraçia, akuzohen se duke vepruar si grup kriminal kanë pajisur me viza italiane një numër të madh personave në mënyrë të paligjshme përmes korrupsionit apo shtrembërimit.
Në seancën e sotme të udhëhequr nga trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Fatime Dermaku, Naser Foniqi dhe Kushtrim Shyti, është dëgjuar dëshmitari A.G., i cili në dëshminë e tij sqaroi se si ishte paisur me vizë italiane, ku tha se kishte aplikuar përmes një agjencioni. Ndërsa në ballafaqim me deklarimet që kishte dhënë në polici, dëshmitari ishte kontradiktor.
Tutje, me pajtimin e palëve u lexua deklarata e dhënë në polici e dëshmitarit G.B., për shkak se i njëjti nuk ishte prezent në shqyrtimin e sotëm, dhe gjykata u njoftua nga palët se i njëjti jeton jashtë vendit.
Seanca e radhës në këtë rast, është përcaktuar paraprakisht që të mbahet nesër, me 17 mars, duke filluar në ora 13:10.
Ndryshe, sipas aktakuzës Ukë Rugova gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grup kriminal, duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza dyshohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit. Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material, në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën, Izet Beqirin dhe Florian Petanin edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve, pasi që në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Kujtim Kastrati
Lajmet në fokus