Greva e punëtorëve të administratës së gjykatës themelore në Prishtinë ka bërë që të anulohet seanca gjyqësore ndaj Lutfi dhe Arban Dervishi, të akuzuar në rastin e njohur si “Medicus”, raporton Drejtësia Sot.
Dy të akuzuarit po përballen me këtë proces gjyqësor maratonik i cili është kthyer dy herë në rigjykim, nën akuzën se kanë transplantuar organe njerëzore në ordinancën “Medicus”.
Anulimin e kësaj seance e ka pohuar vetë gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj- e cila për Drejtësia Sot theksoi se për shkak të grevës së punëtorëve të administratës në pallatin e drejtësisë, palëve nuk po u lejohet hyrja në ambientet e gjykatës dhe si rrjedhojë e njëjta seancën e ka anuluar për kohë të pacaktuar.
Përndryshe, kujtojmë se më 27 tetor 2020 ishte mbajtur seanca e fundit për këtë rast ku është proceduar me deklarimin e të akuzuarve rreth fajësisë dhe fjalën hyrës të palëve.
Pasi që të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale të cilat iu vihen në barrë, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse të prokurorit dhe mbrojtjes.
Në fjalën hyrëse të tij, prokurori Burim Çerkini theksoi se pas administrimit të provave në këtë shqyrtim, do të vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se tani të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat janë ngarkuar.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Lutfi Dervishi, avokati Besnik Berisha, ngriti pretendimet e tij se hetimi i kësaj çështje penale ka qenë i kundërligjshëm dhe se me asnjë provë të vetme të prokurorisë nuk vërtetohet teza e kësaj aktakuze.
Pas fjalës hyrëse, në fazën e administrimit të provave, prokurori Çerkini i propozoi gjykatës që të lexohen deklaratat e disa dëshmitarëve të cilët gjindet jashtë Kosovës. Sipas prokurorit, kjo bëhet për faktin se dëshmitarët janë pothuajse të paarritshëm për prokurorinë.
Këtë propozim e kundërshtoi avokati Besnik Berisha, i cili theksoi se për shkak të respektimit të parimit të drejtpërdrejtë duhet që dëshmitarët të jenë prezent për t’u ballafaquar edhe nga ana e mbrojtjes.
Nën këto rrethana, trupi gjykues vendosi që të refuzojë propozimin e prokurorit, duke njoftuar se do të tentohet që përmes departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar juridik të sigurohet prania e dëshmitarëve të cekur.
Në këtë mënyrë seanca e sotme u ndërpre, ndërsa për atë të radhës palët do të njoftohen me ftesa të rregullta.
Kujtojmë se me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, të datës 06.11.2018, ajo kishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban dispozitiva kontradiktorë dhe është i mangët në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarit Lutfi Dervishi.
Ndërsa për të akuzuarin Arban Dervishi, fillimisht ishte veçuar procedura për shkak se gjindej në arrati, ndërsa me sigurimin e prezencës së tij është bashkuar procedura penale dhe tani akuzohet së bashku me babain e tij, Lutfi Dervishi.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në vitin 2010 kishte ngritur aktakuzë ndaj urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta, Sokol Hajdini, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, për shkak të transplantimit të kundërligjshëm të organeve njerëzore dhe për këtë akuzoheshin për veprat penale “Krim i organizuar” nga neni 274 par.1 lidhur me veprën penale “Trafikim me qënie njerëzore” nga neni 139 par.1 të Kodit Penal të Kosovës. Këta persona gjithashtu kjo aktakuzë i’u kishte ngarkuar edhe veprat penale “Mashtrimi”, “Lëndim i rëndë trupor”, “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.
Lutfi dhe Arban Dervishi, fillimisht nga gjykata e shkallës së parë ishin shpallur fajtor dhe ishin dënuar me burgim dhe me gjobë, ashtu që i akuzuari Lutfi Dervishi, ishte dënuar me 8 vite burgim e 10 mijë euro gjobë, ndësa Alban Dervishi ishte dënuar më 7 vite e 3 muaj burgim si dhe 2.500 euro gjobë.
Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Krim i organizuar”, por ishte dënuar me 3 vite burgim për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, si dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi plotësues i ndalimi të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej 1 viti.
Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve”.
Gjykata ne atë kohë pati liruar nga akuza Driton Jiltan, për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive njerëzore” dhe “Shpërdorim i pozitës zyrtare apo autrozimeve”, për shkak të vjetërsimit.
Drejtësia Sot ka monitoruar këtë rast :https://www.rolpik.org/fillon-rigjykimi-i-rastit-medicus-jepet-fjala-hyrese-e-paleve/
Monitorues Vullnet Bugaqku
Lajmet në fokus