Për shkak të grevës së administratës shtyhet për fund të Prillit gjykimi për shpërlarje të parave

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

10:47 / 11 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të grevës së administratës është shtyrë për muajin Prill shqyrtimi gjyqësor në çështjen penale ku Ramadan Mavraj, Muharrem Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi, Flamur Mavraj dhe Rexhë Kastrati po akuzohen për shpërlarje parash dhe shmangie nga tatimi, raporton Drejtësia Sot.

Me të filluar gjykimi i sotëm, kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Shadije Gërguri, njoftoi se seanca nuk do të mbahet për shkak të mungesës së kushteve teknike si rezultat i grevës së punëtorëve të administratës së Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua më datë 29 prill 2022, me fillim nga ora 09:30.

Sipas aktakuzës të përfaqësuar nga Prokurori Special Atdhe Dema, të pandehurit Ramadan Mavraj dhe Muharrem Mavraj, nga viti 2010 e deri në 2017, në vazhdimësi, me dashje, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktiviteti kriminal, me qëllim të konvertimit, transferimit dhe fshehjes të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë, kanë kryer deponime dhe tërheqje në të gatshme (kesh), në llogaritë individuale.

Të pandehurit Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, nga viti 2010 deri në vitin 2017, në vazhdimësi, me dashje, duke e ditur se pasuria e fituar buron nga aktivitet kriminal, në bashkëveprim me njëri – tjetrin, kanë konvertuar dhe transferuar pasurinë, ashtu që kanë kryer transaksione të shumta huazimi për qëllim të maskimit dhe shtresimit të mjeteve financiare të siguruara nga shmangia tatimore dhe aktiviteti kriminal, kanë transferuar shuma përmes xhirollogarive të tyre me përshkrime të ndryshme si huazim dhe kthim huazimi.

Sipas prokurorisë speciale, të pandehurit tjerë Flamur Mavraj, Xhelal Kastrati, Valdet Muriqi dhe Rexhë Kastrati, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Pastrimi i parave” nga neni 308 i KPRK-së, lidhur me nenin 56 paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, nën paragrafi 1.5 dhe paragrafi 3, nën paragrafi3.1, të Ligjit Nr. 05/L-096 mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit lidhur me nenin31 të KPRK-së.

Po ashtu, gjashtë të pandehurit, dyshohen se gjatë periudhës kohore 2010 – 2017, në vazhdimësi, me qëllim të shmangies së pagimit të tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara më ligj, nuk kanë deklaruar qarkullimin financiar dhe nuk i kanë përfshirë informatat lidhur me të ardhurat e tyre, ashtu që kanë dhënë informata jo të sakta nga veprimtaritë e tyre afariste.

Me këto veprime të lartcekurit kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” si dhe e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 459.738.80 euro.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi në lidhje me këtë rast Për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, fillon rishtazi shqyrtimi gjyqësor në rastin ndaj gjashtë të akuzuarve për shpërlarje të parave dhe shmangie nga tatimi – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Rinon Arifi

PS.nr.35/19