Pas kthimit në rigjykim, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë sërish liroi nga akuza pesë inspektorët e komunës së Prizrenit, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, raporton Drejtësia Sot.
Bedri Halimi, Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka akuzohen se kanë ndërmarrë veprimeve të kundërligjshme gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në Inspektoratin e Komunës së Prizrenit duke lejuar ndërtimin e disa qindra objekteve pa leje në Parkun Nacional ‘Sharri’ në Prevallë.
Në shpalljen e bërë sot nga trupi gjykues në përbërje prej gjyqtarëve Lutfi Shala, Valbona Musliu Selimaj dhe Kujtim Krasniqi, sikurse ciklin e parë të gjykimit, të pandehurit e lartcekur u liruan nga akuza ngaqë më provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të provohet se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin sipas aktakuzës.
Para se të shpallej verdikti i trupit gjykues, në seancën e sotme u procedua me leximin e aktakuzës, fjalën hyrëse, administrimin e provave, dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit dhe fjalën përfundimtare.
Të gjitha palët në procedurë u pajtuan që aktakuza të konsiderohet e lexuar dhe qëndruan pranë fjalëve hyrëse e përfundimtare të dhëna në gjykimin paraprak.
Gjithashtu u administruan edhe provat materiale të prokurorisë speciale, ndër të tjera edhe dy vendime të reja që sot u propozuan si prova nga ana e prokurores, Merita Bina – Rugova. Kurse të akuzuarit qëndruan pranë mbrojtjes të dhënë në ciklin e parë të gjykimit.
Ky rast është kthyer në rigjykim në bazë të vendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, e cila ka konstatuar shkelje esenciale procedurale.
Në vendimin e kësaj gjykate, të datës 25.01.2022, thuhet se në pjesën hyrëse të aktgjykimit të shkallës së parë është konstatuar aktgjykimi lirues, ndërsa në pjesën e fundit tregon se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar.
Sipas Apelit, kjo pjesë e dispozitivit është në kundërthënie me arsyetimin e aktgjykimit ku sqarohen arsyet e lirimit nga akuza e të akuzuarve, andaj kjo situatë e bën të pakuptueshëm këtë aktgjykim.
Sipas aktakuzës, e cila përfaqësohet nga prokurorja Merita Bina-Rugova, të pandehurit Enver Bytyqi, Nexhmedin Musliu, Bashkim Krasniqi dhe Ruzhdi Daka duke punuar si inspektorë të ndërtimit në drejtorinë e inspektoratit të Komunës së Prizrenit, përgjegjës për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional ‘Sharri’, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare konform ligjit për ndërtim. Nuk kanë bërë mbi këqyrjen inspektuese të ndërtimeve, nuk kanë urdhëruar pezullimin e ndërtimit dhe nuk i kanë inicuar procedurat e parapara me ligj.
Për shkak të keqpërdorimit të detyrës nga ana e të pandehurve janë ndërtuar disa qindra objekte pa leje.
Aktakuza sqaron se këta persona kanë reaguar vetëm në disa raste dhe atë i pandehuri Enver Bytyqi në tri raste të ndërtimevetë palejuara të pronarëve S.B, F.B. dhe M.B., i pandehuri Nexhmedin Musliu në dy raste të pronarëve I.B., dhe B.B., ipandehuri Bashkim Krasniqi në një rast të pronarit H.M. dhe i pandehuri Ruzhdi Daka në një rast të pronarit K.B.
Tutje sipas Prokurorisë, keqpërdorimet janë bërë në periudhën kohore nga 22 qershor 2006, kur kuvendi komunal në Prizren ka miratuar Planin e Përkohshëm Rregullues Urban për atë zonë deri me datë 3 maj 2013, kur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me vendim ka urdhëruar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve ndërtimore në zonën e Prevallës. Për secilin objekt pa leje kanë përfituar shumë mesatarisht prej 10,500 euro.
I pandehuri tjetër i përfshirë në rast Bedri Halimi, në pozitën e kryeinspektorit të Inspektoratit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk ka zbatuar planin për rrënimin e objekteve pa leje në kuadër të Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional.
Sipas akuzës, në urdhëresë ka pasur 4 faza dhe në fazën e parë ka rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim ka zbatuar vetëm 20, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim 16 janë revokuar dhe 29 kanë mbetur të pazbatuara ndërsa faza e katërt fare nuk është implementuar ashtu që nga 14 dhjetor 2013 e deri sot nuk ka zbatuar asnjë nga vendimet edhe pse ato janë ende në fuqi.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast
Monitoruar nga Rinon Arifi
Lajmet në fokus