Njëri prej të akuzuarve me Covid-19, dështon gjykimi për krim të organizuar me shitblerje të armëve dhe tregti të ndaluar

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Elvira Rrahmani

11:21 / 07 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Pranë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar gjykimi ndaj të akuzuarve I.M., V.I., N.G., B.S., S.S., N.A. dhe A.I., të cilët akuzohen për shitblerje të paautorizuar të armëve, tregti të ndaluar dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal, raporton Drejtësia Sot.

Arsye e dështimit të mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor ishte mungesa e të akuzuarit I.M., për të cilin mbrojtësi i tij, e kishte njoftuar gjykatën se i njëjti ka rezultuar pozitiv me Covid-19, andaj tani është në izolim.

Andaj, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e paparaparë për ditën e sotme është shtyrë për datën 31 mars 2022, me fillim nga ora 09:30.

Duke i përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarëve, aktakuza sqaron se i pandehuri V.I., fillimisht kishte siguruar 25 pako me armë të llojit ‘’Glock Austria’’ dhe ‘’Sig Suer’’, nga një person tani për tani i panjohur, të cilat i ka vendosur në njërën nga zyret e lokalit të tij në Fushë Kosovë, si dhe, disa pako me medikamente të llojeve të ndryshme me përmbajtje të substancave narkotike (metamorfinë) si Tamol XX, të cilat i kanë siguruar të pandehurit N.G., dhe B.S. Po ashtu, sipas akuzës pas dy-tri ditësh i pandehuri V.I., sipas marrëveshjes e thërret të pandehurin F.H., punëtor në lokalin e tij në Fushë Kosovë, duke i thënë që këto pako t’ia jepte vozitësit të kompanisë “Sim Logistik”, pronar i së cilës është i pandehuri I.M., i cili i kishte marrë pakot dhe i kishte dërguar në objektin e “Sim Logistik” në fshatin Mazgit, e pas kësaj të pandehurit I.M., V.I. dhe N.G., i kishin ndarë armët dhe medikamentet nëpër pako me qëllim të dërgimit në vende të ndryshme.

Ndërkaq për të pandehurin B.S., tregohet që fillimisht shkon në depo, ku nga i pandehuri N.A., menaxher i kompanisë, i merr disa pako dhe pastaj takohet me të pandehurin S.S., të cili t’ia jep një pako me medikamente dhe i fut në veturën e tij, mirëpo duke qenë nën vëzhgim nga ana e policisë së Kosovës, të dy të pandehurve në veturat e tyre u konfiskohen pakot me medikamente, si dhe, në garazhën e banesës së të pandehurit B.S., konfiskohen edhe pako tjera me medikamente.

Ndërsa për të pandehurit B.S. dhe N.G., thuhet se nga i dyshuari A.I., janë furnizuar me barëra pa banderola për qëllim shitjeje nëpër barnatore të ndryshme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Në fund nga krejt ky operacion i Policisë njoftohet që gjatëkontrollimit në depon e “Sim logistik”, konfiskohen gjithsej 99 armë të llojit “Glock-Austria”, një sasi municioni, si dhe një sasi medikamentesh ku vlera e të cilave përfshirë edhe sasinë e konfiskuar të të pandehurit B.S. dhe S.S., është rreth 17.000 euro.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast (https://www.rolpik.org/fillon-dhenia-e-mbrojtjes-ne-gjykimin-per-krim-te-organizuar-me-shitblerje-te-armeve-dhe-tregti-te-ndaluar/)


Monitoruar nga Elvira Rrahmani