Njëri nga të akuzuarit në trajtim mjekësor jashtë vendit, shtyhet seanca e sotme në gjykimin ndaj 6-të të akuzuarve në rastin “Stenta 2”

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

15:45 / 09 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pranë Departamentit për Krime të Rënda, për shkak se njëri nga të akuzuarit gjendet në trajtim mjekësor jashtë vendit, sot është shtyer seanca gjyqësore në gjykimi ndaj 6 të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës në rastin ‘Stenta 2’, raporton Drejtësia Sot.

Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi, janë personat që akuzohen se duke shfrytëzuar detyrën e tyre si mjekë në institucione publike kanë udhëzuar pacientët të shkojnë në spital privat për kontrolle, ku për çdo pacientë që dërgonin përfitonin shuma të caktuara të hollash.

I akuzuari Murat Abazi, e kishte njoftuar paraprakisht me email gjykatën, se gjendet në trajtim mjekësor jashtë vendit andaj nuk mund të marrë pjesë në seancën e sotme. Gjykata i kishte njoftuar paraprakisht palët për shtyrjen e seancës së sotme, ndërsa data e seancës së radhës pritet të përcaktohet në ditët në vazhdim.

Sipas aktakuzës të përfaqësuar nga prokurorja Florie Shamolli, të pandehurit Ferihane Sefa, Ferid Susuri, Murat Abazi, Elfedin Muhaxheri, Nexhmi Zeqiri dhe Masar Gashi së bashku me shumë mjekë të tjerë, akuzohen se në pozitën e mjekut në Institucione publike shëndetësore, kanë keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar në atë mënyrë që duke i kontrolluar pacientët i kishin udhëzuar që të njëjtit të shkonin për trajtim në spitalin privat IMH dhe/ose EDA, ku për çdo pacient që dërgonin për vendosje të stendave merrnin nga 500 Euro, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 Euro.

Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast: Sërisht anulohet gjykimi në rastin “Stenta 2” – Drejtësia Sot (rolpik.org)

Monitoruar nga Kujtim Kastrati

PKR.nr. 167/19