Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç, Srgjan Dimitrijeviq, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Të njëjtit po akuzohen se në tenderin për rindërtimin dhe përmirësimin e ndriçimit rrugor në Komunën Ranillukut të vitit 2018, nuk iu kanë përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.
Në seancën gjyqësore të së enjtes, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Agron Uka, të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën ngarkohen nga prokuroria.
Tutje seanca gjyqësore ka vazhduar me fjalën hyrëse të palëve, ku prokurori Agron Uka, në fjalën hyrëse ka deklaruar se akti akuzues është i bazuar në fakte dhe prova të grumbulluara gjatë fazës paraprake me qëllim që e njëjta të shkojë në procedim të mëtutjeshëm.
Në anën tjetër, avokatët e të akuzuarve në tërësi e kanë kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Përfaqësuesi i Komunës së Ranillukut, Ivan Deniq në fjalën hyrëse ka deklaruar se në bazë të deklaratës së kryetarit të Komunës, buxheti i Komunës nuk është dëmtuar gjatë instalimit dhe rekonstruktimit të ndriçimit publik të Komunës së Ranillukut, sepse ndriçimi publik është në tërësi i instaluar dhe funksional edhe sot.
Pasi palët dhanë fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Boki Gjorgjeviç, avokati Selami Rexhepi, i ka propozuar gjykatës që të shtyhet seanca e sotme për një datë tjetër, për shkak të disa problemeve personale.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, andaj seanca e sotme është shtyrë për datën 7 prill 2022, në ora 09:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, që nga muaji janar i vitit 2018, të akuzuarit e lartëshënuar, si persona zyrtar në Komunën e Ranillukut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull “Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018”, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me mos veprimet e tyre të akuzuarit kanë dëmtuar buxhetin e Komunës në shumë prej 8.307,00 €, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë (6) pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të Komunës së Ranillukut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik Komuna e Ranillukut i paguan si pozicione të kryera.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më parë këtë rast https://www.rolpik.org/deklarohen-te-pafajshem-zyrtaret-e-komunes-se-ranillukut-te-akuzuar-per-keqperdorim-te-detyres-zyrtare/
PKR.nr.180/21
Monitoruese: Ronita Halimi
Lajmet në fokus