Në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore të Ferizajit, sot ishte caktuar të mbahej seanca e dëgjimit të dëshmitarëve në gjykimin e ish-kryetarit të komunës së Kaçanikut, Xhabit Zharku, i cili po akuzohet për korrupsion, raporton Drejtësia Sot.
Zt. Xhabir Zharku po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj se si person zyrtar – Kryetari i komunës së Kaçanikut ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore.
Seanca e sotshme dështoi të mbahet pasi që mungonte përfaqësuesi i palës së dëmtaur, në këtë rast AKP. Trupi gjykues nuk mundi të gjejë prove se e ka ftuar të njejtin në mënyrë të rregullt dhe për këtë arsye konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance.
Andaj, data 15 Prill 2022 me fillim në orën 09:30 u caktua për mbajtjen e seancës së rradhës.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj Zt. Xhabir Zharku po akuzohet, se me datën 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar – kryetar i Komunës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, ashtu që ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies së Koncencioneve, meqë rast ka marrë vendim që të lejohet ndërtimi i një objekti për banim kolektiv dhe lokale afariste, e cila i u është dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “ Çlirimtarët “ me seli në Kaçanik.
Gjithmonë sipas aktakuzës, Zt. Zharkun akuzohet se me datën 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar – kryetar i Komunës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka shpërdoruar detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka urdhëruar avokatin publik të Komunës, Fitore Krivanjeva– Daci, që të mos ushtrojë ankesë ndaj një vendimi të Gjykatës Komunale në Kaçanik.
Me këtë i njejti ka kryer veprat penale “ shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit “.
Kujtojmë se ish kryetari i Kaçanikut, kishte paguar dorëzani në shumë prej 100.000 mijë euro që të lirohej nga paraburgimi, ku ishte mbajtur nga data 15 dhjetor 2019 deri më datën 17 qershor 2020 pasi ishte arrestuar në aeroportin e Prishtinës në përpjekje për tu larguar nga Kosova.
Drejtësia Sot ka raportuar edhe më herët për këtë rast
Monitoruar nga: Qëndresa Ismaili
Lajmet në fokus