Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shkak të mungesës së të akzuarit Nenad Rikallo, dhe dy avokatëve mbrojtës, dështoi të mbahet seanca e sotme në rastin e njohur si “Grantet”, raporton Drejtësia Sot.
Në hapje të shqyrtimit të sotëm u konstatua se sipas njoftimit paraprak për shkaqe shëndetësore mungonte i akuzuari Nenad Rikallo. E ponjashtu mungonin edhe dy avokatë mbrojtës, ku si pasojë nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance.
Andaj seanca e sotme nuk u mbajt ndërsa ajo e radhës do të mbahet me 20 prill në ora 9:30. Për seancat e radhës u rezervuan edhe datat 25 dhe 26 maj.
Rikujtojmë se sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedura të rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR.
Po ashtu, më 26.03.2018 në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, me ç’rast edhe programin e dorëzon vetë, të përfunduar, (ndërsa komisionin e kishin formuar vetëm formalisht).
Ndërsa, i pandehuri Kapllan Halimi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZHR, ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të kundërligjshëm kompanive të ndryshme. Aktakuza thotë se ai ka emëruar grupin punues në përbërje prej 11 anëtarësh për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se ky grup nuk është kompetent dhe nuk ka njohuri për përpilimin e këtij programi, derisa ishte në dijeni se ky grup ishte vetëm formal, duke ditur se drafti është dorëzuar nga vetë ministri Nenad Rikallo.
Tutje sipas aktakuzës i pandehuri Shefki Zeqiri, në cilësinë e personit zyrtar në MBPZHR, gjatë vitit 2018, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ka hartuar dhe aprovuar Udhëzimin Administrativ nr. 09/2018 për zbatimin e programit të veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”, edhe pse e kishte ditur që ky program ishte hartuar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098, për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Rregulloren (QRK) nr. 37/2013. Aktakuza pretendon se këto veprime janë ndërmarrë duke i anashkaluar procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë që është kompetencë e Departamentit të Politikave për Zhvillim Rural në MBPZHR.
Ndërsa, i pandehuri Ekrem Gjoka, në cilësinë e personit zyrtar Ushtrues i Detyrës së Kryeshefit të AZHB-së, në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendimin për formimin e grupit punues, i cili do të bënte kontrollin administrativ, vlerësimin, miratimin dhe kontraktimin e projekteve të masës së infrastrukturës rurale, duke anashkaluar faktin se ky ekip duhej të formohet nga drejtori, të monitorohej nga drejtori dhe të raportonte te Drejtori i Drejtorisë për Miratimin e Projekteve dhe Zhvillim Rural. Kështu që, i pandehuri Ekrem Gjoka, me qëllim ka vepruar në atë mënyrë që t’u mundësonte përfitim kompanive të ndryshme në mënyrë të kundërligjshme, ngase vetë ishte pjesë e grupit kur ministri ua kishte dorëzuar draftin e gatshëm.
Aktakuza thotë se këta të pandehur duke vepruar në ketë mënyrë, buxhetit të Republikës së Kosovës në bashkëveprim i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 4 milion euro.
Me këto veprime të pandehurit Nenad Rikallo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, dhe Ekrem Gjoka, në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Po ashtu, Shklezen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, më 14.08.2018, në bashkëveprim si persona zyrtarë pranë MBPZHR-së, duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme i kanë mundësuar përftim të kundërligjshme disa kompanive, të cilat nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ 09/2018, për zbatimin e programit te veçantë “Zonat rurale më pak të zhvilluara”. Prandaj, sipas aktit akuzues ata në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Drejtësia Sot ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:
Monitoruar nga Kujtim Kastrati
Lajmet në fokus