Mungojnë të akuzuarit dhe prokurorja, dështon gjykimi për aktakuzën e vitit 2006

Gjykata Themelore , Prishtinë

Monitoruar nga Rinon Arifi

14:16 / 03 Mars 2022
[supsystic-social-sharing id="1"]

Edhe pse kanë kaluar 5742 ditë nga ngritja e aktakuzës, Gjykata Themelore në Prishtinë nuk po arrin të mban gjykimin ndaj katër të akuzuarve për krim të organizuar, raporton Drejtësia Sot.

Aktakuza e muajit Maj të vitit 2006, po akuzon Sabit Bullatovcin, Ejup Gërgurin, Zekirja Osmanin dhe Ilmi Kastratin, se kanë qenë pjesë e grupit kriminal të organizuar që kanë tentuar të tjetërsojnë në mënyrë të kundërligjshme një pronë në Fushë Kosovë.

Seanca e sotme e cila u udhëheq nga gjyqtarja e Departamentit për Krime të Rënda, Fatime Dërmaku, dështoi të mbahet si rezultat i mungesës së të gjithë të akuzuarve.

Sa i përket mungesës së të akuzuarit Osmani, u konstatua se gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim të adresës, por nuk kanë marrë asnjë njoftim nga ana e stacionit policor në Viti.

Ndërsa gjyqtarja Dërmaku tha se për të akuzuarit Bullatovci, Gerguri dhe Kastrati do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, pasi që mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Në këtë gjykim gjithashtu nuk ishte prezent askush nga ana e prokurorisë speciale, për të cilën gjyqtarja theksoi se nuk janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas aktakuzës së datës 16.05.2006, e ngritur nga ana e Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë,  të pandehurit dyshohen kanë qenë pjesë e grupit kriminal të organizuar, i cili është udhëhequr nga G.P., e që kanë pasur për qëllim që të kryejnë veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë për të përfituar dobi materiale.

Aktakuza thotë se ky grup kriminal ka tentuar që të tjetërsojë në mënyrë të kundërligjshme pronën e A.P., ashtu që udhëheqësi i grupit G.P., fillimisht ka kërkuar nga i akuzuari Sabit Bullatovci, atëherë drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Kadastër, Gjeodezi e Pronë në komunën e Fushë Kosovës, që ta pajisë atë me fletën poseduese dhe dokumentet përcjellëse të pronës së A.P., pa pasur ndonjë autorizim nga kjo e fundit.

Këto dokumentacione sipas aktit akuzues janë plotësuar e nënshkruar nga referenti, tani i akuzuari Ejup Gërguri. Aktakuza thotë se më pas është përpiluar kontratë fiktive me shkrim për shitblerjen e pronës së A.P., tokë në sipërfaqe prej më shumë se 3 hektarësh. Aktakuza thotë se kjo kontratë fiktive është realizuar në atë mënyrë që i akuzuari Zekirja Osmani është paraqitur në rolin e A.P. si shitës, ndërsa F.H. në cilësinë e blerësit.

Mirëpo aktakuza thotë se ndonëse këta persona ndërmorën këto veprime me qëllim të vërtetimit të kontratës, kjo nuk u bë e mundur për shkak se më vonë, nga njëri nga referentët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, u konstatua letërnjoftimi i falsifikuar i të akuzuarit Osmani.

Monitoruar nga Rinon Arifi